Cani: Buxheti që rikthen rritjen ekonomike

05/11/2014 00:00

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani i paraqiti Kuvendit, përkatësisht
konferencës së kryetarëve, buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm.

“Synimi kryesor i këtij buxheti është që të fillojë në rrugën e kthimit të rritjes normale të parakrizës”, tha Cani.

Krahasuar me këtë vit, të ardhurat sipas Qeverisë rriten me 46.5 miliardë lekë ose 12.6 për qind. Ministri i Financave i krahasoi këto rezultate me ato të qeverisë paraardhëse.

“Janë marrë gjithsej më tepër të ardhura për 6-7 vitet e shkuara, vetëm 75.6 miliardë lekë, kurse vetëm për vitin 2014-2015, merren 87.3 miliardë lekë më shumë. Pra është një hop, pasi krahasohen 6-7 vite me dy vite dhe përsëri të ardhurat e realizuara janë më të larta”, tha Cani.

Rritja e të ardhurave dhe përmbajtja e shpenzimeve, sipas Qeverisë, bën që vitin tjetër pas disa vitesh rritje të fillojë ulja e borxhit publik.

Buxheti 2015, rriten disa taksa

Bashkë me buxhetin, kreu i Financave bëri të ditur edhe se si do të ndryshojne taksat, vitin tjetër duke nisur me atë të të ardhurave personale.

“Përveç tatimit mbi pagat, të cilën nuk e prakim, të gjithë të tjerat kthehen nga 10 për qind, në 15 për qind. Po kështu rritet në 10 lekë litri, taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin. Kjo masë është kryesisht në mbrojtje të mjedisit dhe në shërbim të sigurisë në rrugë. Kuptohet, unë nuk mund të deklaroj 100 për qind, por kam bindjen e plotë, që nuk do të ndikojë ashtu siç po propogandohet në rritjen e çmimit të naftës. Ashtu siç ndodhie dhe vitin e kaluar, që nuk u rrit çmimi”, tha Cani.

Një tjetër taksë që rritet është akciza e cigareve me 20 lekë për paketë. Ndërsa në ulje rishikohen taksa e siguriacioneve, për të cilën hiqet tvsh-ja 20% dhe vendoset një taksë bruto 3 për qind. Gjithashtu taksa e gomave të reja ulet nga 15 në 10% për qind, ndërsa një ndryshim i beftë në minutën e fundit është heqja e akcizës së pijeve energjike. Paralelisht lehtësira në taksë do të ketë edhe për bujqësinë.

Top Channel