Blatter pret Krasniqin dhe Vokrrin

05/11/2014 00:00

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, bashkë me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, dhe sekretarin e FFK-së, Eroll Salihun, janë takuar sot me kreun e FIFA, Sepp Blatter.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka konfirmuar përmes një njoftimi takimin e mbajtur mes delegacionit të Kosovës dhe FIFA sot në Zyrih.

Ministri Krasniqi ka kërkuar që futbollistët e Kosovës të jenë të barabartë në arenën ndërkombëtare.

“Pas njohjes së Kosovës nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, që është institucioni më përfaqësues i sportit në botë, ka ardhur momenti që edhe Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) dhe Federata Europiane e Futbollit (UEFA) të thyejnë izolimin e futbollit të Kosovës. Është një e drejtë themelore e jona, që të jemi pjesë e barabartë e garave ndërkombëtare në futboll”, – tha ministri Krasniqi.

Ky ishte takimi i parë, që një zyrtar i lartë qeveritar i Kosovës zhvillon me kreun e institucionit më të lartë të futbollit në botë.

Ndërkaq, kryetari Vokrri tha se futbollistët kosovarë kanë qenë padrejtësisht të izoluar për 20 vjet.

“Padrejtësisht, futbollistët në këto 20 vjet kanë qenë peng i politikës dhe kjo nuk duhet të zgjasë më. Futbollistët tanë nuk kërkojnë asgjë më shumë, veçse një të drejtë elementare siç e kanë të gjithë futbollistët në botë. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka dhënë një shembull për këtë, duke ia hapur derën Kosovës dhe vullneti i sportistëve tanë nga ky lajm është rritur shumë. Ne jemi një vend që e duam futbollin dhe duam që edhe ne të tregojmë pasionin dhe potencialin tonë, gjë që është thjesht një e drejtë elementare njerëzore që kërkojmë”, theksoi Vokrri.

Top Channel