Kosovë, mblidhen kryesitë e PDK dhe LDK

04/11/2014 00:00

Dy partitë më të mëdha në Kosovë, PDK dhe LDK janë mbledhur të martën nëpër selitë e tyre për të diskutuar me anëtarët e kryesisë për krizën politike, por pa marrë ndonjë vendim që çon drejt formimit të institucioneve.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka ftuar sërish të gjithë liderët politikë që të ulen dhe të komunikojnë së bashku për të gjetur një marrëveshje për të dalë nga kriza institucionale.

“Unë, pa dashur që t’i adresohem një subjekti apo lideri, flas në emër të PDK-së. As ridizajnim e as tejkalim të ngërçit nuk mund të ketë pa angazhim dhe pa komunikim të drejtëpërdrejtë me forcën fituese të zgjedhjeve të 8 qershorit. Ky është verdikti qytetar, është opinioni qytetar, janë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ndaj, ne duhet të punojmë që të nxjerrim vendime që sjellin rezultat për vendin, por edhe për qytetarët dhe në asnjë rrethanë rezultat që ndonjë pretendim i ri dërgon në bllokadë të re e të panevojshme që kemi kaluar prej pesë muajsh. Pra, nuk duhet që përmes pretendimeve të reja të gabuara të shkojmë në bllokada të reja”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi ka thënë se të mërkurën do të zhvillojë takim edhe me Këshillin Drejtues të partisë së tij për të marrë vendimin se si do të veprojë më tej.

Edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës, anëtarët e kryesisë kanë diskutuar për nevojën e formimit të shpejtë të institucioneve, por pas mbledhjes askush nuk ka pranuar të prononcohet për mediat. LDK ka informuar vetëm përmes një komunikate për shtyp të shpërndarë me postë elektronike.

“LDK po punon intensivisht që koalicioni i shumicës parlamentare, si përfaqësues i shumicës absolute të popullit të Kosovës, të themelojë institucionet qeverisëse të vendit sa më parë që është e mundur”, thuhet në komunikatën e lëshuar pak minuta pas përfundimit të mbledhjes.

LDK vlerëson se është e dosmodoshme që në vend të ndërrohet mënyra e qeverisjes dhe se Kosovës i duhet një qeveri demokratike, e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe që do të punojë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve për të mirën e të gjithë qytetarëve.

LDK-ja konsideron se është e domosdoshme që procesi i themelimit të institucioneve të reja të përmbyllet sa më parë që të jetë e mundur, përfundon njoftimi për shtyp.

Top Channel