Rrëfehet ish-prokurorja e EULEX

03/11/2014 00:00

Prokuroria britanike Maria Bamieh është e vendosur ta çojë deri në fund denoncimin e aferave që sipas saj e kanë shoqëruar Misionin Evropian të sundimit të ligjit në Kosovë EULEX.

Një javë pas largimit, në intervistën e parë për media, ajo ku ka rrëfyer disa raste të rënda të ndërhyrjeve politike edhe nga Brukseli për t’i ndalur hetimet në raste të caktuara.

Prokurorja  ka akuzuar edhe Romuald Pichard, këshilltarin e ish-shefit të EULEX-it, Xavier de Marnacut se ishte bashkëpunëtor i afërt i kryeministrit Hashim Thaçi. Ndërkohë, ajo ka thënë se Pichard ishte kontaktuar prej sekserëve të ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajt, me qëllim që të lirohej nga burgu, duke shtuar se ka përgjime për këtë.

Pas publikimit të këtyre pretendimeve të prokurores reagoi Zyra e Kryeministrit të Kosovës, duke i konsideruar të pavërteta deklarimet. Zyra e Kryeministrit ka rikonfirmuar se bashkëpunimi i ngushtë me EULEX-in nuk mund të cenohet nga deklarimet e prokurores Bamieh.

Ndërkohë në Kosovë organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur shqetësimin ndaj zhvillimeve të fundit në Misionin Evropian për Sundim të Ligjit-EULEX, pas akuzave dhe kundërakuzave për përfshirjen e zyrtarëve të këtij misioni në afera korruptive.

Në fillimin e punës së EULEX-it në vitin 2008, këto organizata thonë se kanë pritur që ky mision do të jetë kontribuues i rëndësishëm. Por aferat korruptive të publikuara ditëve të fundit janë një goditje e jashtëzakonshme në besimin publik dhe reputacionin e këtij misioni, por edhe të sistemit Kosovar të drejtësisë. Për këtë arsye, këto organizata kanë kërkuar nga Misioni që të ndërmarrë sa më shpejt hetime të brendshme rreth aferave korruptive dhe presioneve ndaj gazetarëve.

Por aferat korruptive të EULEX-it në Kosovë, kanë vënë në lëvizje dhe Brukselin zyrtar. E ndërsa javën e kaluar zëdhënësja e Ashton shprehej se “misioni po vepron brenda mandatit, po përdor mjetet në dispozicion dhe nuk ka tejkaluar asnjë kufi”, e njëjta zëdhënëse e pyetur dje, konfirmoi shqetësimin e Parlamentit Europian për të biseduar me dyer të mbyllura me dy përfaqësuesit e shërbimit diplomatik të BE-së.

“Ka në të vërtetë një takim në Parlamentin Europian për këtë çështje dhe Shërbimi i Jashtëm i BEsë (EEAS) do të përfaqësohet nga Kenneth Dean, Shefe e Komandës për Operacionet Civile, Planifikimit dhe Aftësisë së Sjelljes, si dhe Drejtori për Ballkanin Perëndimor Fernando Gentilini. Siç e dini mjaft mirë, kjo është një çështje tepër e ndjeshme, por mund t’ju them qëndrimin e Përfaqësueses së re të Lartë të Besë. Takimi i saj i parë sot ishte mbi këtë çështje dhe ajo e bëri mjaft të qartë se kërkon ta trajtojë atë me transparencë maksimale”, tha Maja Koçijançiç, zëdhënëse e KE.

Përveç Bamieh, edhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunaçek, si dhe kreu i delegacionit për Serbinë, Eduard Kukan, kërkojnë që “EULEX të hetohet thelbësisht nga një organ i jashtëm dhe i pavarur”, çfarë do mund të sjellë gjithashtu “rikonfigurim të këtij misioni dhe mandatit” të tij në Kosovë.

Top Channel