Në Durrës do shfaqet “Elektra”

03/11/2014 00:00

Pas premierës “Këtu vallëzohet me hijet”, trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka nisur punën për vënien në skenë të tragjedisë greke “Elektra” të Sofokliut.

Tragjedia antike do të vijë nën regjinë e Laert Vasilit, që premton ta sjellë atë në elemente krejtësisht shqiptare, si një dialog të fuqishëm që do të lidhë kohët dhe hapësirat gjeografike.

Regjisori Vasili tregon arsyet pse zgjodhi Durrësin për të vënë në skenë “Elektrën” greke.

“Një vend, i cili mund të jetë pikënisje dhe pikë referimi që nga qytetërimi ilir, duke përcjellë më pas qytetërimin helen, e në fund atë romak, është vetëm Durrësi në Shqipëri. Është një qytet me identitet jashtëzakonisht specifik në Shqipëri. Më vonë u bë pikënisje edhe e rrugës Egnatia, e cila pasi përshkonte Shqipërinë kalonte më pas në Selanik e mbërrinte deri në Stamboll. Nga ky stacion do të nisë rrugëtimin shpresojmë ndërkombëtar Elektra jonë”, u shpreh regjisori Laert Vasili.

Prej vitesh, tragjeditë greke kanë munguar në teatrin që mban emrin e Moisiut të madh. Drejtori i teatrit të Durrësit, Bashkim Hoxha, vlerëson pjekurinë artistike të trupës së teatrit për të realizuar denjësisht “Elektrën”, që premtohet se do të flasë shqip më bukur se kurrë.

“Pas shumë e shumë vitesh, për herë të parë në skenën e teatrit ‘Aleksandër Moisiu’ vihet një tragjedi antike greke. Për këtë, ne kemi zgjedhur Elektrën e Sofokliut, e cila erdhi si një projekt propozim nga Laert Vasili”, tha Bashkim Hoxha, drejtor i teatrit “A. Moisiu”.

Në rolin e Elektrës do të jetë aktorja Eralda Çaushi, ndërsa Oresti do të vijë nën interpretimin e Amos Zaharisë, të dy aktorë të trupës së teatrit të Durrësit.

Top Channel