Eshtrat e Isa Boletinit, më 28 Nëntor ceremonia e varrimit

03/11/2014 00:00

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Koosvës, Memli Krasniqi priti këtë të hënë në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Qemajl Minxhozi.

Temë diskutimi ndër të tjera ishte koordinimi për ceremoninë e varrimit të eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini. Ministri Krasniqi tha se tashmë përgatitjet për ceremoninë kanë filluar. Data e caktuar është 28 Nëntori 2014.

“Figura e Isa Boletinit është gjithëkombëtare. Pikërisht për këtë, një organizim nga të dy vendet tona do t’i bënte nder figurës së tij dhe veprës së tij për liri dhe pavarësi”, tha ministri Krasniqi, teksa shtoi se qeveria e Kosovës do të udhëheqë këtë ceremoni.

Nga ana e tij, ambasadori Qemajl Minxhozi shprehu gatishmërinë e institucioneve të qeverisë shqiptare për të qenë bashkorganizatorë të kësaj ceremonie. “Ne jemi të lumtur që kemi rastin si gjeneratë t’i bëjmë një nder figurës dhe veprës së Isa Boletinit”, deklaroi ai.

Në këtë takim u bisedua edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit, thuhet në një komunikatë nga zyrat e Ministrisë së Kulturës.

Top Channel