Bllokimi i monopolit të skanimit, kompania kërkon 359 mln USD

27/10/2014 00:00

Kompania që fitoi koncesionin e skanimit në dogana ka paditur Qeverinë
shqiptare në Gjykatën e Arbitrazhit, duke kërkuar 359 milionë dollarë
dëmshpërblim.

Lajmi konfirmohet nga Avokatura e Shtetit, e cila menjëherë ka çelur procedurat për të përzgjedhur studion ligjore, që do të mbrojë Shqipërinë në këtë konflikt.

Në prill të vitit të kjaluar, vetëm dy muaj para zgjedhjeve Qeveria e mëparshme e përzgjodhi ‘Rapiscan’, si fituese të monopolit dhjetëvjecar të skanimit. Që në fillim marrëveshja u kundështua fort, veçanërisht nga grupet e biznesit, të cilët deklaruan se ajo rrit kostot për sipërmarrjen dhe dëmton ekonominë.

Por, pavarësisht kundërshtive jo vetëm politike, Qeveria e çoi deri në fund koncesionin dhe vetëm pak para zgjedhjeve e zyrtarizoi marrëveshjen. Kompania pretendon se ajo i ka përmbushur të gjitha kushtet që parashikonte kontrata. Por sipas saj, hyrja në fuqi e marrëveshjes është penguar nga Qeveria aktuale, e cila ka kërkuar të argumentojë se koncesioni është nul dhe i pavlefshme, pasi bie në kundërshtim jo vetëm me ligjet e vendit por edhe me ato të Bashkimit Europian. Në këtë situatë, ‘Rapiscan’ pretendon se është dëmtuar dhe në gusht të këtij viti ka dorëzuar në sekretariatin e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë kërkesën për arbitrazh.

Kjo është hera e dytë brenda pak kohësh, kur Shqipëria paditet në gjyq nga një kompani e huaj. Hera e parë ishte mosmarrëveshja me CEZ, që më vonë u zgjodh me mirëkuptim. Tashmë Shqipërisë do t`i duhet të menaxhojë një tjetër çështje të nxehtë, ku në lojë janë 359 milionë dollarë. Kjo është sa 3.6 për qind e Prodhimit Kombëtar ose mbi 15 për qind e gjithë buxhetit vjetor të vendit. 

Top Channel