Thaçi: Takimi Rama-Vuçiç, mesazh për stabilitetin në rajon

22/10/2014 00:00

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka përshëndetur konfirmimin e takimit, që pritet të ndodhë në Beograd, mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se takimi mes Ramës dhe Vuçiçit do kishte efekt për të dyja vendet dhe do jepte mesazh paqeje në rajon.

“E vlerësojmë gatishmërinë e dy kryeministrave, të Shqipërisë z. Edi Rama dhe të Serbisë Aleksandër Vuçiç që të ndodhë takimi mes dy kryeministrave të dy shteteve që nuk do të kishte efekt vetëm për këto dy vende por do të kishte një mesazh të qartë edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon por edhe të ardhmen euroatlantike për të gjithë rajonin”, u shpreh Thaçi.

 Para vizitës së kryeministrit shqiptar në Serbi, dy ministra të Qeverisë së Kosovës do të marrin pjesë në vijimin e takimeve pasuese nga Samiti i Berlinit që të martën dhe të mërkurën do të mbahet në Beograd.
 
“Sonte dhe nesër do të mbahet takimi tjetër në Beograd ku edhe anëtarë të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht dy ministra do të jenë prezentë, z. Fadil Ismajli dhe z. Enver Hoxhaj, në cilësi të barabartë sikur të qeverive të shteteve të tjera”, theksoi Thaçi.
 
Kryeministri kosovar i ka bërë këto deklarata në mbledhjen e Qeverisë ku u nxorr edhe udhëzimi  administrativ për funksionimin e shërbimit shëndetësor të burgjeve në Kosovë.

Kabineti qeveritar po ashtu ka miratuar vendimin për formimin e Këshillit Ndërministror për parandalimin e virusit Ebola në Kosovë.

Top Channel