Deputetët e pakicave në Kosovë janë të zhgënjyer me përgjigjen që kanë marrë nga presidentja Atifete Jahjaga, e cila ka refuzuar kërkesën e minoriteteve që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese pikën 127 të vendimit.
Deputetët e komuniteteve pakicë janë takuar të mërkurën paradite në Kuvend për të diskutuar për përgjigjen negative të marrë nga presidenca.
“Realisht jemi të pakënaqur me përgjigjen e presidentes sepse atë e konsideronim ndërmjetëse mes pakicave dhe Gjykatës Kushtetuese dhe kishim konsideratën se ajo do ta dërgonte kërkesën tonë në këtë gjykatë, që më në fund të zgjidhej rasti i pikës 127. Qëllimi ynë është që të jemi të paanshëm, të respektojmë ligjet dhe Kushtetutën dhe gjithçka të zgjidhet në mënyrë demokratike”, deklaroi Duda Balje, deputete e komunitetit boshnjak.
Deputetja Balje ka thënë se në formimin e institucioneve kosovare do të marrë mbështetjen e minoriteteve ai opsion politik i maxhorances shqiptare që ka shumicën e votave.
“Ne tashmë kemi filluar disa veprime dhe nuk është mirë që të krijohen blloqe të ndryshme brenda Parlamentit, por siç po shkojnë gjërat mendoj se interesat e pakicave në Kosovë janë pothuajse të ngjashme dhe ne po ashtu mund të bëjmë diçka të tillë”, shtoi Balje.
Deputetët e minoriteteve kanë inkurajuar Bllokun paszgjedhor që të provojë edhe ai, qoftë përmes presidentes apo përmes Gjykatës Kushtetuese, që të kërkojë sqarime për pikën 127 të vendimit të Gjykatës për formimin e institucioneve.
Top Channel