Sindikata e energjitikës në grevë

21/10/2014 00:00

Sindikata e Pavarur e Energjitikës së Kosovës, nga e mërkura do të fillojë një grevë para ndërtesës së kompanisë kosovare për Distribuim dhe Furnizim me energji elektrike, në Prishtinë.

Kryetari i kësaj sindikate, Fehmi Pajaziti, tha se punonjësit kërkojnë rritjen e pagave dhe plotësimin e disa kërkesave, që nuk po gjejnë zgjidhje prej kohësh.

“Kjo grevë është e imponuar. Janë kërkesa të kahmotshme, që për ne janë të realizueshme dhe të kapshme. Imediate është kërkesa për rritjen e pagës, si dhe sistemimi i punëtorëve në marrëveshje kolektive, sepse edhe pas asaj që ne kemi biseduar, pa dijen dhe pa pjesëmarrjen tonë, ka ndodhur edhe një riorganizim i skemës organizative, ose risistemimi i punëtorëve, duke lënë shumë punëtorë me profesione të ndryshme jashtë sistemimit, mund të them mbi 40-50 të tillë”, u shpreh Fehmi Pajaziti, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Energjitikës.

Këshilli grevist deklaroi se punonjësit janë kërcënuar nga menaxherët e KEDS-it, pasi në një shkresë të tyre drejtuar punonjësve thuhet se “çfarëdo ftesë për të marrë pjesë për 1 orë dhe më shumë nën kushtet e caktuara është joligjore mund të krijojë mundësi për ndëshkim, përfshirë minimumin e moskompensimit gjatë kohës së qëndrimit në grevë”.

Akuzën për kërcënim e ka hedhur poshtë zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra, i cili përmes telefonit tha se çdo gjë në atë shkresë është e bazuar në ligjin për grevat. Në përkrahje të punonjësve të KEDS-it doli edhe Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

“BSPK-ja edhe në kryesinë ekzekutive ka shqyrtuar kërkesën e tyre, që për ne janë legjitime, dhe ne do t’i përkrahim e do të jemi së bashku me ta në kërkesat e tyre reale. Është një kohë e gjatë, gjatë së cilës është shterur çdo mundësi, edhe ajo e bisedave me ta, sepse ata nuk kanë dhënë asnjë sinjal, se mund të bëhet diçka në këtë drejtim”, deklaroi Haxhi Arifi, kryetar i BSPK.

Greva është paralajmëruar të vazhdojë deri të premten.

Top Channel