Rritet importi i cigareve

21/10/2014 00:00

Tregtarët e cigareve kanë nisur të importojnë sasira të mëdha për të përfituar nga rritja e paralajmëruar e taksave, duke i devijuar paratë nga buxheti në arkat e tyre.

Top Channel zbardh të dhënat e fundit operative nga Drejtoria e Doganave, të cilat faktojnë se, menjëherë sapo qeveria shpalli se do të rrisë akcizën me 20 lekë për paketë, importi i cigareve ka kërcyer në ritme historike.

Sipas shifrave, nëse në tetë muajt e parë të vitit, kompanitë e cigareve kanë importuar mesatarisht 232 ton cigare në muaj, për Tetorin deri në datën 19, shifra ka është 391 ton. Kjo është një rritje me 1.7 herë, edhe pse deri në fund të muajit shifra me gjasa do të rezultojë shumë më e lartë. Kjo pasi, sipas të dhënave operative nga doganat, vetëm në tre ditët e fundit janë zhdoganuar rreth 200 ton cigare.

Tregtarët e cigareve po përsërisin të njëtën skemë si vitin e kaluar, kur, sapo morën vesh se do të rritej akciza, nxituan të krijonin rezerva të mëdha për t’i shitur më vonë me çmime të larta, kur taksa hyri në fuqi.

Një skemë, përmes së cilës buxheti i shtetit humbi mbi 20 milionë dollarë. Parà, të cilat u paguan nga qytetarët, por që përfunduan në xhepat e tregtarëve.

Qeveria tentoi t’i vërë fre këtij fenomeni këtë vit, duke vënë një masë kufizuese për importet në draftin e akcizës, por ligji nuk është miratuar ende në Parlament, pasi në qeveri ka debate se nga cila kohë duhet t’i shtrijë efektet kufizimi; që nga momenti i shpalljes së vendimit të qeverisë, apo nga dekretimi i tij nga Presidenti.

Top Channel