Ballkani ka 4 ditë i trazuar pas dhunës në stadiumin e Partizanit të Beogradit në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Përveç tensionit midis dy vendeve një valë antishqiptare ka shpërthyer në rajon. Në mesin e këtij tensioni Serbinë e vizitoi edhe Presidenti rus, Vladimir Putin.
Moska dhe Beogradi u zotuan për partneritet dhe aleancë të ngushtë, ndërsa kreu i Kremlinit përsëriti se nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Ndërkaq, Presidenti Nikolic kritikoi Perëndimin, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian për sanksionet e vëna ndaj Moskës, ndërsa tha se Serbia nuk do ta bëjë këtë gjë.
Mbi këto zhvillime të fundit në rajonin e Ballkanit foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, analisti dhe diplomati i njohur, Shaban Murati.
Pandi Gjata: Patëm një vizitë të Putinit në Ballkan pas një konflikti ende të pambyllur me Ukrainën dhe vendosjen e një partneriteti me Serbinë. Si i shihni këto zhvillime?
Shaban Murati: Kohët e fundit Ballkani ka një tendencë zhvillimi të ri jo pozitiv. Kjo konstatohet pas ngjarjeve në Ukrainë. Kur jam marrë me krizën e Ukrainës kam shkruar që ne në Ballkan, pas asaj që ndodhi në Ukrainë duhet të prisnim valë tensioni, të gjeneruara nga Rusia ose nga shtete të lidhura me të. Disa prej tensioneve që ne shohim aktualisht në Ballkan, sipas mendimit tim lidhen pikërisht me këto zhvillime negative. Forca kryesore në këtë mes, e cila është e interesuar të krijojë një problematik, qoftë për Nato-n apo për BE-në është Rusia, Presidenti i të cilës bëri një vizitë tepër të reklamuar ditët e fundit.
Pandi Gjata: Vizita e Putinit në Ballkan vjen në një moment kur situata është acaruar, të paktën nga e marta deri sot. Një rajon që po shkon drejt integrimit në BE. Serbia është para Shqipërisë në këtë proces, por deklaron një aleancë të ngushtë me Moskën. A shikoni një dyzim të rrugëve të Beogradit?
Shaban Murati: Është një dyzim i hershëm i Serbisë, e cila gjatë gjithë këtyre 14 vjetëve, që prej largimit nga pushteti të Miloshevicit, është dyzuar midis dy karrigeve, orientimit properëndimor dhe orientimit për t’u lidhur me Rusinë. Në planin zyrtar Serbia i mbahet mendimit që ajo duhet të realizojë të dyja drejtimet. Ky dyzim, nëse do t’i futesh në themele nuk është real. Teza ime është: garnitura aktuale e Serbisë prirjen kryesore e ka për t’u lidhur me Rusinë. Sidomos vizita e ditës së enjte evidentoi pikërisht këtë lidhje të karakterit strategjik të Serbisë ndaj Rusisë. Pritja si “Perëndi lufte”, siç është cilësuar është një përpjekje edhe për të përfituar nga kjo forcë ose kjo valë që është Rusia, për të afirmuar edhe ajo pozitën e saj në rajonin e Ballkanit.
Pandi Gjata: Në këtë situatë, a e shikoni rajonin tonë ‘një shesh të vogël beteje’ përplasjesh të dy filozofive të ndryshme, mes Lindjes dhe Perëndimit?
Shaban Murati: Kjo është një përplasje gjeopolitike midis BE-së dhe NATO-s nga njëra anë dhe Rusisë nga ana tjetër, kjo është e shtrirë në rajonet më sensitive të Europës. Pas Ukrainës, kjo përplasje gjeopolitike mund të spostohet dhe do të spostohet, sipas mendimit tim, në gadishullin e Ballkanit. Sepse këtu Rusia ka interesa të vjetra dhe të reja të karakterit gjeopolitik. Serbia është i vetmi shtet që është i rrethuar nga 6 apo 7 shtete anëtare të NATO-s dhe është i vetmi shtet në Ballkan, i cili ka refuzuar zyrtarisht integrimin atlantik. Është e pamenduar që një shtet neutral si Serbia, mbas 40 vjetësh organizon paradë të madhe ushtarake me pjesëmarrjen edhe të forcave ajrore ushtarake ruse.
Pandi Gjata: Si ndikon gjithë ky afrimitet i Serbisë me Moskën për të gjithë fqinjët e saj?
Shaban Murati: Forcimi i kësaj aleance do ta bëjë Serbinë më restriktive në marrëdhëniet me fqinjët e saj, sidomos me ata fqinjë që ajo mendon se mund t’i bëhen rivalë në ambicien e saj të madhe për t’u bërë qendra e Ballkanit. Kjo do të thotë që në marrëdhëniet dypalëshe të Serbisë, sidomos me faktorin shqiptar ne duhet të presim tensione të reja. Sipas mendimit tim edhe ngjarjet e fundit në Beograd, Serbia ka interes për t’i acaruar marrëdhëniet.
Pandi Gjata: Pra, mendoni se këto incidente ishin të nxitura nga Serbia?
Shaban Murati: Mendoj që në të gjithë këto tensione është një element shtetëror i pandarë. Këto ngjarje janë krijuar në mënyrë artificiale me Shqipërinë dhe sidomos një vijë konstante e acarimit, jo të tërheqjes siç kërkon diplomacia. Të gjithë udhëheqësit serbë kërkojnë ta agravojnë situatën, midis Shqipërisë dhe Serbisë dhe automatikisht midis Serbisë dhe faktorit shqiptar, i cili është i shpërndarë në disa shtete në Ballkan. Në njëfarë kuptimi do të thotë eksportim i tensionit në disa shtete.
Pandi Gjata: Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit dukeshin se ishin në një fazë të re dhe më pas ndodhi ngjarja e kësaj jave. Ditën e martë kemi vizitën e Kryeministrit Rama në Beograd, por sot kishim një përgjigje të Kryeministrit serb, Vuçiç, aspak diplomatike: “do të mendohem në fundjavë nëse do të vijë apo jo zoti Rama në Beograd”. A e shikoni të mundur vizitën e zotit Rama në Serbi?
Shaban Murati: Së pari, u në do të rezervohesha të përdorja termin ‘fazë e re’, në përcaktimin e marrëdhënieve mes dy vendeve sepse kemi një përvojë jo pozitive gjatë këtyre 20 vjetëve në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë. Në vendin tonë të dyja partitë kryesore kanë tentuar pajtimet ose kompromiset historike dhe kanë dështuar. Fakti është që kjo situatë mes këtyre dy vendeve ka brenda tension, qoftë të karakterit politik, historik, diplomatik, madje në të gjitha fushat, kjo do të thotë që sugjeron nevojën për ta kapërcyer. Çështja shtrohet që vizita e Kryeministrit Rama në Serbi është një proces normal diplomatik, pavarësisht problemeve që ne kemi aktualisht dhe do të kemi edhe në të ardhmen. Unë mendoj që diplomacia ka detyrën historike të mbrojtjes së interesit shtetëror duke biseduar. Duke e përjashtuar nga çdo lloj spekulimi elektoral apo politik që i bëjnë disa forca politike brenda në Shqipëri, të cilat janë gati të sakrifikojnë interesin kombëtar ose shtetëror për hir të një interesi të ngushtë elektoral ose partiak. Unë mendoj që zgjedhja e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për të zhvilluar vizitën në Beograd, megjithë tensionet e fundit, është zgjedhja e duhur. Në aspektin diplomatik, prononcimi i Kryeministrit serb nuk duket korrekt, i cili është vetë ai që e ka ftuar zotin Rama për të kryer vizitën dhe mikpritësi duhet të jetë shumë më tepër tolerant.
Pandi Gjata: Për t’u rikthyer edhe një herë te Rusia në Ballkan. Rusia po mat forcën dhe muskujt me Perëndimin. A jemi duke bërë edhe një analizë të kësaj “shtrirje” të re në Ballkan që po tenton Moska zyrtare, por edhe në përballjen me Perëndimin? A po i vjen fundi një diplomacie?
Shaban Murati: Diplomacia nuk është shteti, por instrument i tij. Në rastin e Rusisë, diplomacia bën përpjekje për të zgjidhur konfliktet për të sheshuar problemet, për të ulur tensionet, pastaj është çështje tjetër nëse arrihet apo jo. Fakti që Rusia për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore pushton një shtet europian, i anekson territorin forcërisht, do të thotë se roli i diplomacisë jo se është zbehur, por do të thotë se diplomacia nuk ka pasur efektin e saj të duhur për shkak se pala tjetër ka plane të tjera. Këto plane do të afektojnë edhe Ballkanin.
Pandi Gjata: Shikoni një Ballkan të rrezikuar?
Shaban Murati: Unë mendoj që do të kemi tensione në Ballkan, të cilat do të gjenerohen në disa drejtime, në disa shtete. Ne vatra tensione kemi në Ballkan, duke filluar nga Bosnja e duke vazhduar me Mitrovicën.
Top Channel