Jahjaga priti senatorin Murphy

17/10/2014 00:00

Anëtari i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit të Shteteve të
Bashkuara të Amerikës, senatori Christopher Murphy ka nisur vizitën e
tij në Kosovë.

Ai ka takuar të premten pasdite presidenten Atifete Jahjaga, por pas takimit nuk ka pasur një konferencë për media.

Përmes një komunikate për media, presidenca kosovare ka njoftuar se në takimin Jahjaga-Murphy është biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Presidentja Atifete Jahjaga e ka njoftuar senatorin Murphy edhe për ngërçin politik. Ajo i ka thënë senatorit amerikan se kriza institucionale po dëmton interesat e Kosovës edhe brenda edhe në skenën ndërkombëtare.

Jahjaga i ka treguar senatorit Murphy se në rolin e lehtësuesit të diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare ua ka bërë me dije liderëve partiak pozitën në të cilën ndodhet Kosova dhe obligimet që ka vendi.

E para e vendit ka diskutuar me senatorin Murphy edhe për konsolidimin e shtetit të ri dhe bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

Jahjaga ka thënë se Kosova është e interesuar që të përmbyllë këtë proces me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura, me qëllim që të dyja vendet të ecin drejt BE-së në rrugët e tyre individuale, sepse sipas saj, BE-ja për Kosovën dhe për vendet e rajonit nuk ka alternativë.

Top Channel