“Model për rritje të qëndrueshme ekonomike”

16/10/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim në sesionin Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar të Harvardit, ku u fokusua në vizionin e qeverisë shqiptare mbi modelin ekonomik dhe rilindjen ekonomike dhe sociale të Shqipërisë.

“Ne jemi të sigurt që nuk duam zhvillim ekonomik në kurriz të demokracisë, dhe kurrë nuk do të punojmë për zhvillim ekonomik në kurriz të lirisë. Demokracia nuk mund të qëndrojë pa zhvillim ekonomik, por zhvillimi ekonomik është i mundshëm edhe pa demokraci. Por kjo nuk është zgjedhja jonë dhe kurrë nuk do të jetë zgjedhja jonë. Dhe veçanërisht nga kjo pikëpamje, ne kemi si shembull frymëzimi vendet ku liria është në fuqi dhe ku zhvillimi ekonomik vjen si pasojë e lirisë dhe demokracisë”, deklaroi Rama.

Pjesë e fjalës së Ramës ishte edhe miratimi dhe nisja e zbatimit për paketën e fasonëve.

“Kohët e fundit qeveria ka miratuar një paketë stimuluese për fasonet, ku përfshihet marrja me qira e objekteve shtetërore për 1 euro në vit për disa vite; ofrimi i trajnimit profesional për punonjësit dhe mbështetje me kostot e sigurimeve shoqërore dhe stimuj të tjerë. Kjo paketë, e implementuar që nga janari 2014 dhe e krijuar në bashkëpunim të ngushtë me aktorët brenda sektorit dhe nëpërmjet partneritetit me botën e biznesit, ka rezultuar e suksesshme. Eksportet e lidhura me fasonët janë rritur me 26.08% për periudhën janar-gusht 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se qeveria është fokusuar në ngritjen e strukturave që sigurojnë vazhdimësinë dhe suksesin të bazuar mbi dijen.

“Jemi duke punuar në drejtim të rikrijimin të një Njësie të Partneritetit Publik Privat në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.  Njësia do të bëjë të gjitha përpjekjet, për të siguruar që ne të materializojmë projekte të reja për investitorët e huaj. Këto projekte do të jenë të zbatueshëm nga pikëpamja e biznesit dhe do të sigurojnë që ne të krijojmë ndërmarrje dinamike për nesër dhe jo vetëm një fitim të menjëhershëm për sot. Kështu, gjatë vitit tonë të parë në qeveri, ne kemi parë se me anë të përdorimit të rrjeteve të dijes, brenda një mentaliteti të orientuar tek rezultati dhe të fokusuar në inovacion, transformimi është mjaft i mundshëm”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se Shqipëria sapo ka kapërcyer nëpërmjet bashkëpunimit me Bankën Botërore një krizë të borxhit të brendshëm.

Top Channel