Blloku paszgjedhor: Qeveria i takon shumicës

16/10/2014 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka vazhduar të enjten takimet me kerët politikë, këtë radhë me liderin e LDK-së Isa Mustafa dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Isa Mustafa, pas takimit me kryetaren e shtetit tha se zgjidhja nuk mund të kërkohet vetëm nga blloku.

“Besoj se zgjidhja duhet të gjëndet, mirëpo pjesë e zgjidhjes nuk mund të jenë vetëm partitë e koalicionit paszgjedhor. Pjesë e saj duhet të jenë edhe institucionet e pavarura, të cilat kanë sjellë këtë situatë dhe që tani duhet të shpjegojnë se si të dalim prej saj”, deklaroi Mustafa.

I pyetur nëse duhet të shkohet në zgjedhje, Mustafa tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se kjo është një situatë e qartë, pasi blloku opozitar ka shumicën parlamentare. Sipas tij, ai që ka bllokuar krijimin e institucioneve është kryeministri Hashim Thaçi.

“Ata që kanë krijuar shumicën fitojnë të drejtën për të krijuar institucionet, ai që ka dështuar të krijojë një shumicë ose t’i takojë një shumice i duhet të hapë krahun. Dhe ne po presim që kjo të ndodhë. Kjo është qasja e dikujt që mendon se është i përjetshëm në pushtet dhe jashtë besimit që duhet të ketë në Parlament. Ai nuk ka as këtë besim dhe as shumicën”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj u shpreh optimist se dalja nga ngërçi mund të ndodhë shpejt. Ndërsa i pyetur nëse kjo situatë do të mund të sillte revoltim të qytetarëve, ai tha se unë nuk thërras protesta, por është e drejtë qytetare edhe një veprim i tillë.

Sa i përket takimeve me kryetarin e PDK-së Hashim Thaçi, përfaqësuesit e bllokut opozitar thanë se zgjidhja është në Kuvendin e Kosovës dhe jo nëpër zyra, siç po kërkon ai.

Pas takimeve të ndara me Isa Mustafën e Ramush Haradinajn, presidentja e Kosovës, Atifete Hahjaga përmes një komunikate tha se, Kosova nuk mund të lejojë që kriza politike të ndikojë edhe në aspektin financiar e atë buxhetor të vendit, pasi kjo do të dëmtonte qytetarët dhe partneritetin strategjik ndërkombëtar.

Top Channel