FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Ka përfunduar punimet dhe është vënë në funksion të plotë linja 110 kV Ersekë-Përmet, me një gjatësi prej 55.7 km. Segmenti është pjesë e lotit të dytë të projektit të financuar nga qeveria gjermane, për zhvillimin e rrjetit 110 kV të Jugut të Shqipërisë.
Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, thotë se kjo linjë i shërben përmirësimit të furnizimit me energji për të gjithë zonën e Jugut.
“Ky nuk është projekti i vetëm. Mbështet edhe shumë zona që kanë zhvillim turistik dhe që në përspektivë do të kenë investime në turizëm. Do të pasohet me një investim tjetër shumë të rëndësishëm në nënstacionet e Orikumit dhe Himarës, gjë që do të përfundojë infrastrukturën energjitike për gjithë zonën e bregut”, tha Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë.
“Kjo linjë do të japë një impakt të rëndësishëm në reduktimin e humbjeve. Deri në zonën e Përmetit, ne vijmë me një linjë shumë të gjatë 110 kV dhe të amortizuar, si nga pjesa e Memaliajt, ashtu edhe nga pjesa e Gjirokastrës. Do të thotë se ka një impakt shumë të rëndësishëm edhe në rritjen e rezervës së furnizimit”, tha Engjëll Zeqo, administrator i OST.
Segmente të tjera, pjesë të projektit të njohur si “Unaza e Jugut”, janë ato Babicë-Sarandë, Zemblak-Korçë dhe rehabilitimi i linjave Korçë-Ersekë, Memaliaj-Këlcyrë-Përmet, përfshirë punimet në nënstacionet respektive. Ndërsa loti i parë i projektit parashikon fuqizimin e nënstacionit të Zemblakut, me vlerë 4.5 milionë euro.
Top Channel