Serbia dorëzon edhe 12 mbetje mortore

13/10/2014 00:00

Në pikën e kalimit kufitar të Merdares u bë këtë të hënë dorëzimi i 12 mbetjeve të tjera mortore, të gjetura gjatë gërmimeve në varrezën e Rashkës në Serbi.

Edhe pse ky ishte transferimi i fundit, rasti i varrezës së Rashkës nuk mbyllet me kaq. Aty pretendohet se ka ende shumë mbetje mortore të viktimave të vrara gjatë luftës në Kosovë.

Banorët e fshatit Rezallë e Çikatovë të Drenicës ndodheshin sot në pikën e kalimit kufitar për të pritur trupat e pajetë të familjarëve të tyre, ndërsa disa të tjerë edhe për të përkrahur bashkëfshatarët.

E pranishme ishte edhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri. Rasti i të pagjeturve është hapur edhe në bisedimet teknike Prishtinë-Beograd, por për të ka pasur vetëm një raund bisedimesh. Lidhur me këtë Tahiri sqaroi se shkak ka qenë axhenda.

“Pala serbe, si zakonisht fillon me qëndrime refuzuese, mirëpo arsyeja pse nuk ka mundur të shkojë përpara kjo çështje në dialogun e Brukselit ka qenë se Bashkimi Evropian është përcaktues i axhendës dhe në atë kohë ata dhanë prioritet për çështjet që kishin të bënin për përcaktimin e kufijve të Kosovës, që rezultoi me marrëveshjen e menaxhimit të integruar të kufirit, pastaj me heqjen e pengesave që Serbia i bënte shtetit tonë në bashkëpunimet rajonale dhe në fushat e tjera si liria e lëvizjes, tregtisë së lirë, etj”, deklaroi Tahiri.

Top Channel