Miratohet rritja e akcizës për duhanin

13/10/2014 00:00

Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi një ligj, që rëndon sërish
taksat mbi cigaret, përmes rritjes së akcizës dhe efektit nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.

“Propozohet rritja e akcizës së cigares, nga 900 lekë të vjetra paketa me 20 cigare, në 1100 lekë paketa me 20 cigare. Për vitin 2016-17 do të rritet me 100 lekë të vjetra”, thotë deputeti i PS-së, Ervin Koçi.

Përmes kësaj mase, Qeveria u merr duhanpirësve 40 milionë dollarë taksa shtesë në vit. Për të mos lejuar që paratë të përfitohen nga tregtarët, Këshilli i Ministrave kishte parashikuar kufizimin e importeve deri në hyrjen në fuqi të ligjit me 15 për qind mbi mesataren e vitit të kaluar. Por me propozim të Erjon Braçes, masa u shtrëngua edhe më shumë dhe madje edhe koha në të cilën ajo nis efektet.

“Në rastin e një iniciative për ndryshime ligjore, që kanë për qëllim rritjen e nivelit të taksimit të akcizës,sasia e importit të mallrave të akcizës, nga çasti i vendimit të Këshillit të Ministrave për rritjen e akcizës, deri në hyrjen e ligjit në fuqi, nuk mund të jetë më e lartë se 5 për qind më shumë se mesatarja mujore e importeve të çdo kompanie në vitin paraardhës”, tha kryetari i Komisionit, Braçe.

Veç taksës mbi cigaret, Komisioni ndryshoi edhe nismën e Qeverisë për të taksuar me akcizë të gjitha biokarburantet, si ato që prodhohen në vend ashtu dhe ato të importit.

Masat miratuara nga Komisioni i Ekonomisë pritet të shkojnë për votim në seancë plenare, ku mbetet për t`u parë se cili do të jetë pozicioni i Qeverisë, veçanërisht ai për biodieselin, për të cilin Ministria e Financave duket se kërkon me ngulm ta vendos në regjim akcize.  

Top Channel