Velipoja sapo ka mbyllur një sezon turistik të suksesshëm, por përgatitjet për atë të ardhshmin kanë nisur që tani.
Nëpërmjet një fondi nga ai Zhvillimit të Rajoneve prej 36 milionë lekë po punohet në zgjatimin e të dyja anëve, asaj lindore dhe perëndimore të shëtitores me gjerësi 6 deri në 8 metra. Janë ndërtuar aktualisht 300 metra linear mure, të cilat do ta kthejnë plazhin tërësisht për pushuesit, duke mos lejuar futjen e makinave në brezin e rërës.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga deputetët e zonës inspektuan këto punime, të cilat përfundojnë në dhjetor 2014.
“Sigurisht që objektivi strategjik afatmesëm është që të ndërtojmë edhe rrugën lidhëse mes qytetit dhe plazhit, duke sjellë një transformim të madh nga pikëpamja ekonomike për të gjithë këtë zonë dhe duke i dhënë Bashkisë së Shkodrës një motorr plus ekonomik dhe social”, tha Rama.
Një tjetër investim në Bashkinë e Shkodrës me një fond prej 161 milionë lekësh, dhënë nga Qeveria, po përdoret për rikonstruksionin e 3.3 kilometrave të rrugës nga ura e Bunës deri në Shirokë. Projekti që pritet të përfundojë brënda 2014-ës parashikon zgjerimin ne 5.5 metra, sinjalistikë, ndriçim dhe gjelbërim.
“Eshtë e domosdoshme që të gjithë këto akse të kthehen në akse të zhvillime të vetë Shkodrës, si qendër dhe territor, qoftë kjo rrugë me çarjen në kufi, qoftë rruga e Velipojës, janë dy akse që do t’i japin një zhvillim shumë të madh ekonomik dhe turistik të gjithë zonës”, tha Rama.
Në brendësi të Shkodrës në Lagjen e Vaut të Dejës, kryeministri Rama pa punimet reabilituse që përfshin kanalizimet e ujrave të bardha e të zeza, ndriçim dhe trotuare. Vlera e këtij projekti financuar nga qeveria është 29 milionë lekë dhe synon dhënien fund përmbytjes sistematike të kësaj lagjeje nga ujërat e zeza.
Një banor i kësaj lagjeje i shprehu kryeministrit indinjatën e tij për harresën dhe mos zgjidhjen e problemeve me ujërat e zeza nga Bashkia e Shkodrës.
“Kryetari i bashkisë nuk vjen, struktura të tjera nuk vijnë, eja zotria juaj. Shikoni si jemi prej 25 vjetësh”, u shpreh ai.
“Kam ardhur për të parë punën dhe për të vazhduar me punët e tjera. Për të tjerat shko tek kryetari i bashkisë”, u përgjigj kryeministri Rama.
Pjesë e investimeve në qarkun e Shkodrës është edhe rruga Grudë e re Qendër Golem e gjatë 1.5 kilometër me vlerë 31 milionë lekë. “Në 23 vjet nuk vuri askush një gur. Ndërsa qeveria juaj e mundësoi menjëherë investimin e kësaj rruge”, tha Luan Harusha, kryetar i komunës Rrethina Shkodër.
Perpara largimit nga Shkodra, Kryeministri pa edhe stadiumin “Loro Boriçi”, per te cilin permes nje postimi ne Twitter tha: “Ne kthim nga Shkodra, ku pashe edhe stadiumin e katandisur s`ka me zi. Do te veme dore e do ta kthejme ne arenen e dyte europiane ne Shqiperi”.
Top Channel