Kriza politike, diplomatët nuk ndërhyjnë

10/10/2014 00:00

Diplomatët ndërkombëtarë të akredituar në Prishtinë nuk e kanë ndërmend
të ndërhynë për tejkalimin e krizës politike në të cilën ndodhet Kosova
katër muaj pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson edhe një herë ka refuzuar që të japë ndonjë këshillë rreth daljes nga ngërçi, duke vlerësuar janë vetë liderët e partive politike në Kosovë që duhet ta gjejnë zgjidhjen.
 
“S’kam asgjë për t’iu dhënë.Zgjidhja është te zyrtarët e zgjedhur nga vota e popullit dhe shpresoj që këta do ta gjejnë një zgjidhje shumë shpejt.Unë e përkrah plotësisht procesin për konsultime që po udhëhiqen nga presidentja”, tha Tracey Ann Jacobson.

Këto komente ambasadorja i bëri gjatë vizitës në Ministrinë e Brendshme, të cilës ambasada amerikane i ka dhuruar pajisje për Sistemin e Menaxhimit të Resurseve të Informatave, që zbatohet nga ICITAP-i i Departamentit të Drejtësisë i SHBA-ve.

Jacobson me këtë rast tha se ky sistem do të mundësoj zvogëlimin e korrupsionit.

“Ky sistem do të mundësoj mbajtjen e të gjitha aspekteve të prokurimit dhe rekrutimit në sistem të centralizuar. shpresoj që ky sistem do të jetë jo vetëm nismëtar për MPB-në, por gjithashtu shërben si shembull për ministritë tjera. Ne shpresojmë që ky sistem do të jetë mjaftë transparent, do të përmirësoj efikasitetin dhe do të zvogëloj korrupsionin, sepse është më transparent për të gjithë”, tha Jacobson.

Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi tha se vendosja e këtij sistemi do të ndikojë në përdorimin më efikas të burimeve të informatave dhe ngritjen e performancës.

Top Channel