Jahjaga nuk përjashton zgjedhjet e reja

10/10/2014 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka vendosur që takimeve me liderët e partive politike në Kosovë t’u gjejë një emërues të përbashkët.

Ajo po synon që së shpejti të thërrasë një takim të përbashkët të liderëve, për ta përmbyllur procesin e bisedimeve për të gjetur zgjidhje për ngërçin politik.

Pas takimeve me krerët partiakë, Jahjaga ka thënë përmes një komunikate për shtyp se liderët duhet të ofrojnë zgjidhje që çojnë drejt ndërtimit të institucioneve, duke kërkuar rrugë që shmangin përsëritjen e zgjedhjeve.

Siç kanë njoftuar krerët e subjekteve, Jahjaga u ka bërë me dije atyre se nuk mund t’i presë gjatë, duke mos përjashtuar mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të reja.

“Zgjidhja e ngërçit do të jetë në bazë të Kushtetutës dhe duke respektuar rezultatin e zgjedhjeve. Ftojmë të gjitha subjektet që të reflektojnë për të krijuar sa më shpejt institucionet”, deklaroi kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.

“Është mirë të jepet një afat për të gjetur zgjidhjen dhe për të formuar institucionet”, tha nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatçia.

“Zonja presdiente ka thënë se shumë shpejt do t’u japë një afat subjekteve politike. Jahjaga ka ofruar dy mundësi: ose të propozojnë opsione për zgjidhje vet liderët, ose do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha më tej kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ndërsa ai i Nismës, Fatmir Limaj u shpreh: “Duhet të reflektojnë të gjithë duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe shumicën parlamentare për të gjetur zgjidhjen”.

Vonesat në ndërtimin e institucioneve të vendit, sipas presidentes kosovare po e rrezikojnë angazhimin dhe bashkëpunimin e Kosovës në proceset ndërkombëtare, posaçërisht në fushën e sigurisë, si dhe po dëmton partneritetin e saj me faktorin ndërkombëtar në fusha të ndryshme.

Top Channel