Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaron se ekonomia shqiptare po e rimerr veten nga kriza.
Në takimin e përvitshëm të FMN-së dhe Bankës Botërore, ministri i Financave dhe Ekonomisë italiane, Pier Carlo Padoan,i cili përfaqeson Shqipërinë dhe disa vende te tjera europiane ne bordin e FMN-se,deklaroi se rritja ekonomike e Shqipërisë u përmirësua në gjysmën e parë të vitit 2014 si pasojë e rritjes së eksporteve dhe kërkesës së fortë private.
“Përmirësimi i besimit në ekonomi, bilancet më të forta si rezultat i shlyerjes së borxheve dhe kushtet më të mira të financimit kanë nxitur rritjen e konsumit dhe investimeve private” ka deklaruar Padoan. Sipas tij, edhe masat e konsolidimit fiskal të ndërmarra nga qeveria në fillim të vitit janë përthithur mirë nga ekonomia.
Megjithatë, kreu i financave të Italisë nënvizon se ekonomia shqiptare ende është duke operuar nën potencialin e saj, çka pasqyrohet në nivelin e ulët të inflacionit.
“Dobësitë kryesore të ekonomisë mbeten të përmbajtura, teksa trajektorja e borxhit publik është nën kontroll dhe deficiti i llogarisië korrente financohet nga investimet e huaja,” vëren Padoan.
Paralelisht ai thekson se sistemi financiar i vendit mbetet i mirëkapitalizuar dhe në gjendje të rezistojë ndaj presioneve potenciale që mund të vijnë nga tregu i brendshëm apo ai i huaj. Në deklaratën zyrtare të mbajtur në mbledhjen e komitetit financiar dhe ndërkombëtar, Padoan vlerëson se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet më të rëndësishme në marrëveshjen me FMN.
Duke vënë në dukje politikën konsoliduese fiskale, ministri italian i financave, përfundon se prespektiva afatmesme dhe ajo afatgjatë për ekonominë shqiptare mbetet pozitive, përballë përpjekjeve për ndërmarrjen e reformave strukturore dhe uljen e dobësive në sektorin energjitik.
Top Channel