Reforma në drejtësi

08/10/2014 00:00

Për reformën në drejtësi, për të cilën pati edhe një angazhim të të gjitha palëve politike në tryezën e organizuar nga Presidenti Nishani, foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, Maks Qoku, anëtar i “Këshillit të të Urtëve”.

Zoti Qoku foli për ata çka është bërë nga organi ku ai është anëtarë në lidhje me reformën. Gjithashtu ai foli edhe për përfshirjen e KLD-së në gjithë këtë proces.

Ndërsa, si shkaqe kryesore për arritjen në këtë gjendje të Gjyqësorit ai evidentoi mungesën e kontrollit si edhe burimet njerëzore.

Pandi Gjata: Ju jeni pjesë e “Këshillit të të Urëve”, një organ akademik dhe këshillues për të gjithë këto procese. A keni bërë ju rekomandime për reformën në drejtësi dhe konkretisht çfarë keni propozuar?

Maks Qoku: Ky këshilli ka rreth 6 apo 7 uaj që është mbledhur. Synimi i tij është reforma ligjore, përpunimi i një sërë ligjesh. Mund të themi që jemi në punë e sipër dhe ka akoma shumë punë për të bërë. Puna jonë është e herë pas hershme dhe mbi të gjitha një oponencë mbi tërësinë e ligjeve që përpunojnë institucione të caktuara, ku përfshihet edhe Ministria e Drejtësisë.

Pandi Gjata: Cilat kanë qenë disa nga propozimet tuaja kuçe?


Maks Qoku:
Puna parësore ka nisur me Kodin e Procedurave Administrative, më pas është kaluar në një sërë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale dhe në Kodin e Procedurës Civile. Rekomandimet tona kanë qenë një oponencë e vëmendshme mbi atë që do të miratohet në Parlament. Në aspektin e një tërësie ligjesh lindin gjithmonë probleme dhe vëmendja e këtij këshilli fokusohet në këtë drejtim.

Pandi Gjata: Në përfundim të  tryezës së thirrur nga Presidenti Nishani pati edhe konkluzione. U fol që brenda dy javësh Ministri i Drejtësisë duhet të thërrasë një tryezë për të përgatitur udhërrëfyesin. Ky proces ka nevojë për një udhërrëfyes?

Maks Qoku: Është pak e vështirë për sa i përket termit udhërrëfyes, nëse do të flasim që ky udhërrëfyes përmban një tërësi parimesh që synojnë të krijojnë një farë pikënisje të reformës, mund të konsiderohet i nevojshëm. Por nuk mendoj që problemi ka mbetur te ky udhërrëfyes sepse deri tani janë konstatuar ku qëndrojnë problemet. Më tepër se një udhërrëfyes jemi në kohën emergjente kur duhet që të avancojmë me hapa konkretë.

Pandi Gjata: A duhet të përfshijë reforma edhe institucione të tjera përveç Gjyqësorit? Çfarë propozoni ju në këtë drejtim?

Maks Qoku: Në radhë të parë duhet të përfshihen të gjithë aktorët. Përveç Gjyqësorit do të përfshihet edhe Prokuroria, do të përfshihet edhe Avokatia edhe Noteria. Mbase pika më delikate është Përmbarimi, ekzekutimi i vendimit. Mbase këto rregullime mund të bëhen edhe paralele, por janë shumë të nevojshme që të bëhen të gjitha bashkërisht. Pika nevralgjike mbetet Gjyqësori, por nuk është vetëm ai që ka nevojë për këtë reformë.

Pandi Gjata: Paralelisht me reformën në drejtësi kemi edhe një hetim parlamentar për nënkryetarin e KLD. Si e keni parë këtë proces dhe a duhet të jetë KLD pjesë e gjithë kësaj reforme?

Maks Qoku: KLD-ja është kryesorja, e cila ka nevojë për riformatim. Pavarësisht synimit të mirë që pati Kushtetuta e 1998-ës, vitet e fundit dhe sidomos aktualisht e ka humbur pothuajse funksionit e vet sepse zhvillimet kanë ardhur në atë mënyrë që është e pamundur funksionimi ashtu siç mendohej. Në situatën aktuale duhet të mos kemi një KLD vetëm me gjyqtarë ose gjyqtarë dominat. Unë mendoj që të ulet në numër, por personat e KLD të mos jenë pjesë e Gjyqësorit. Duke qënë se KLD-ja ka një rol kuç në aspektin e efikasitetit të Gjyqësorit, ushtrimi i kontrollit dhe për pasojë edhe balancimin e vendimmarrjeve, duhet bërë kujdes me mënyrën se si ushtrohet ky kontroll dhe sa efikas është ai.

Pandi Gjata: Cfarë nuk ka funksionuar deri në këtë moment që kemi këtë korrupsion në Gjyqësor?

Maks Qoku: Së pari është aspekti i uljes së kontrollit. Së dyti, ka ndikuar shumë edhe aspekti i burimeve njerëzore. Edhe në Inspektoratin e KLD-së, por edhe në atë të Ministrisë së Drejtësisë nuk kemi më element të spikatur, me përvojë, të cilët mund të bëjnë një kontroll efikas. Gjithashtu edhe rritja e gamës së çështjeve, mbase edhe e rritjes së numrit të gjyqtarëve. Është e pamundur që edhe inspektoratet të mbulojnë të gjithë këtë gamë.

Pandi Gjata: Ku është folur për reformën në drejtësi, gjyqësori është mbrojtur me çështjen e pavarësisë. Si mund të ecet paralele në këtë sistem edhe me reformën, por edhe me ruajtjen e pavarësisë?

Maks Qoku:
Pavarësi nuk do të thotë papërgjegjshmëri. Por për papërgjegjshmëri nën petkun e pavarësisë kjo nuk do të ishte e drejtë sepse nën petkun e pavarësisë kemi papërgjegjshmëri. Tashmë kemi vendime haptazi të kundraligjshme dhe shpesh herë kemi parë që nuk ka ndëshkime.

Pandi Gjata: A është korrupsioni plaga e vetme e këtij sistemi apo ka edhe çështje të tjera ku duhet të operohet?

Maks Qoku: Mendoj që korrupsioni është plaga kryesore, por si një fenomen shoqëror nuk ndodhi rastësisht. Një problem i madh është aspekti i numrit të gjyqtarëve. Numri i qytetarëve që i drejtohen gjykatës është i pafundmë, ndërkohë që numri i gjyqtarëve është i kufizuar. Gjithashtu një problem tjetër është edhe logjistika, e cila lë për të dëshiruar.

Pandi Gjata: Gjithmonë ka pasur diskutime për reformë në drejtësi. A besoni se këtë herë nuk do të ketë vetëm fjalë , por do të ketë një operacion të vërtet në sistemin e drejtësisë?

Maks Qoku: Më shumë se besoj, shpresoj. Ne jemi impenjuar seriozisht që të bëjmë një punë të mirë, por nuk duhet harruar që politika është aktori kryesor.

Top Channel