Kërkesat për paketën e re fiskale

08/10/2014 00:00

Biznesi i kërkon qeverisë të lehtësojë barrën e taksave në disa industri, për të ndihmuar daljen e ekonomisë nga kriza. Presidenti i Biznes Albania, Luan Bregasi listoi kërkesat kryesore të sipërmarrësve për paketën e re fiskale.

“Për turizmin kërkohet ulja e TVSH-së nga 20% në 8 deri në 10%. Mesatarja e rajonit është 7%. Vetëm 2 vende europiane e kanë të lartë TVSH-në, por këto vende nuk kanë turizmin si industri kryesore. Në rajon Greqia e ka 6%, Mali Zi 7%, Maqedonia 5%, Turqia 7%”, deklaroi Bregasi.

Sipas Bregasit, një tjetër taksë që po penalizon fort biznesin është ajo e ndërtesave, të cilën qeveria e dyfishoi në janar të këtij viti.

“Të ulet vlera e taksës për ndërtesat që shfrytëzohen për biznes në masën që ka qenë më parë sipas kategoriësë së rretheve. Për shembull në Tiranë për njësitë e biznesit ka qenë 200 lekë metri katror, është bërë 400 lekë metri katror. Të përgjysmohen çmimi dhe kostot e shërbimeve vjetore të pajisjeve fiskale. Të mos paguhen gjobat dhe detyrimet tatimore pa përfunduar procesi administrativ dhe gjyqësor”, nënvizoi Bregasi.

Por veç taksave që shkojnë në buxhet, Bregasi tha se sipërmarrja është rënduar edhe nga disa pagesa të tjera, që përfitohen pa të drejtë nga konçesionarët privatë.

“Të hiqet pulla fiskale për industrinë e birrës vendase dhe e importit. Kjo, për arsye se nuk aplikohet në asnjë vend të BE-së. Ka kosto shumë të lartë për biznesin dhe shteti merr akcizë pothuajse në mënyrë të barabartë me vlerën që merr konçensionari privat. Ligji nuk e realizoi misionin për të cilin u krijua, pasi nuk pati rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit”, shtoi Bregasi.

Paralelisht, një tjetër industri ku sipërmarrësit kërkojnë lehtësira fiskale është ajo e ndërtimit, për të cilën propozojnë të hiqet tatim-fitimi që ndërtuesit paguajnë për pronarët e truallit dhe taksa e pasurisë për ndërtesat e pashitura.

Top Channel