Fyle: Debati të bëhet në Parlament

08/10/2014 00:00

Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, prezantoi strategjinë e Zgjerimit të Bashkimit Europian për këtë vit dhe raportet respektive të progresit për vendet e Ballkanit dhe Turqinë. Në konferencën e fundit për shtyp nga Berlaymont, komisioneri çek në largim përmblodhi ecurinë e secilit vend përgjatë mandatit të tij 5 vjeçar.

“Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në qershor, pasi iu njohën arritjet e saj në përmbushjen e reformave. Vendit i nevojitet hartimi dhe konsolidimi i reformave në përmbushjen e sfidave të integrimit, në mënyrë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Të dyja palët, qeveria dhe opozita, duhet ta zhvillojnë debatin e tyre në mënyrë parësore në Parlament”, deklaroi Fyle.

“Dalja jashtë Parlamentit është mesazh i rëndësishëm politik, por nuk zgjidh problemin, nuk jep zgjidhje të çështjes që ka shkaktuar këtë vendimin duke u shndërruar në një hap dramatik për vendin.  Por ne shkojmë përtej. Pa pikë dyshimi dhe shumë qartë, ne themi se është qeveria, shumica, që duhet të krijojë kushtet për pakicën që të ushtrojë funksionin e vet, rolin e vet të kontrollit politik në demokraci. Në Shqipëri ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që të ngrihet një komision hetimor parlamentar për çështje të rëndësishme. Pavarësisht se i vonuar, ky vendim duhet zbatuar pa vonesa të tjera. Gjithashtu, ne kemi nënvizuar që opozita duhet të  luajë rolin e saj në Parlament dhe ky rol të jetë sa më shumë konstruktiv. E kemi thënë edhe herë të tjera, axhenda europiane kërkon që mazhoronca dhe pakica të bëjnë së bashku hapin e duhur në drejtimin e duhur”, shtoi Fyle.

Gjetjet e raportit kënaqën dhe “miqtë e zgjerimit”, siç i quajti komisioneri Fyle eurodeputetët në komitetin e jashtëm, ku ai prezantoi fillimisht strategjinë e BE.

“Bojkotet e Parlamentit në Shqipëri dhe Maqedoni, së bashku me situatën problematike pas zgjedhjeve në Kosovë janë shqetësuese. Procesi për integrimin kërkon konsensus të përgjithshëm të tërë spektrit politik, krahas punës së efektshme të Parlamentit. Bojkotet janë kundërproduktive dhe vetëm vonojnë procesin”, deklaroi Eduard Kukan.

Në dokumentin për Shqipërinë, fjala “progres” përmendet mbi 70 herë. Vendi përgëzohet për vendosmërinë e treguar në kryerjen e reformave të kërkuara veçanërisht në kriterin politik, por përgatitjet për nisjen e negociatave vlerësohen ende në fazë fillestare.

Njëfarë progresi njeh kriteri ekonomik, fushat e konkurrencës, shërbimeve financiare, liria e lëvizjes së punëtorëve, mallrave, media audiovisuale, bujqësia dhe zhvillimi rural, siguria ushqimore, politika monetare, satistikat, punësimi dhe politikat sociale, politika e ndërmarrjeve dhe industrisë, infrastruktura, politika rajonale, arsimi, gjyqësori dhe të drejtat themelore, dogana, kontrolli financiar, korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Progres i mëtejshëm vlerësohet në fushën e sigurisë, lirisë dhe drejtësisë gjatë këtij viti. Ndërkohë, progres i kufizuar vlerësohet për pronësinë intelektuale, fusha e shkencës dhe kërkimit, mjedisi, mbrojtja e konsumatorit, marrëdhëniet me jashtë dhe politika e mbrojtjes. Peshkimi dhe energjia njohën progres të vogël, ndërsa transportet shumë pak.

Top Channel