Nga pika e kalimit kufitar e Morinës ku mori pjesë në një takim për
thellimin e bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Shqipërisë, në luftë kundër
krimit ndërkufitar, i pyetur për urdhërin e Ministrisë së Bujqësisë për
mos lejimin e kalimin të miellit nga Kosova, ambasadori i vendit tonë
në Kosovë, Qemal Minxhozi është shprehur se një vendim i tillë është një
gjë kalimtare që nuk ndikon në marrëdhëniet tregtare në mes dy vendeve
të cilat kanë shënuar rritje.
Ambasadori Minxhozi thotë se këto vendime nuk kanë të bëjnë me qëndrime politike por me qëndrime burokratike të institucioneve.
“Janë marrëdhënie të ndërselljta që ndodhin edhe me vende të tjera të rajonit dhe më gjerë. Eshtë një përpjekje që bëhet për të handikape momentare. Dalin probleme që kanë të bëjnë me rritjen e shkëmbimit të mallrave. Këto probleme duhen trajtuar me qetësi, sepse ndonjëherë duke bërë më shumë zhurmë seç duhet, në vend që të rregullojmë punë, prishim”, tha Minxhozi.
Viteve të fundit institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës janë përfshirë në vendime që kanë pasur të bëjnë me pezullimin e kalimit të mallrave të ndryshme, gjë që ka sjellë edhe reagime të sektorit të biznesit por edhe të politikës. Në pikën e kalimit kufitar të Morinit, me hyrjen në fuqi të këtij urdhri është ulur në maksimum importi i miellit nga Kosova.
Top Channel