Blloku thërret seancën më 9 tetor

06/10/2014 00:00

Për bllokun paszgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje, këtë javë do të zhvillohet beteja për gjetjen e zgjidhjes për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Të 62 deputetët e koalicionit kanë thirrur seancën për më 9 tetor, me motivacionin se vendimi i kryesueses Flora Brovina për ta shtyrë atë ishte në kundërshtim me vullnetin e shumicës së të zgjedhurve të popullit.

Sipas deputetit të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, është e pakuptimtë që për formimin e Kuvendit të diskutohet jashtë këtij institucioni.

“I rëndësishëm është fakti se shoqërisë në përgjithësi, popullit dhe shtetit të Kosovës i nevojitet një diskutim aty ku diskutimi e ka vendin. Dhe ky është Parlamenti i Kosovës. Për krizën në të cilën ndodhet Kosova është folur gjithkund, përveçse në vendin që i takon, Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.

Edhe deputeti i LDK-së, Sadri Ferati ka thënë për Top Channel përmes telefonit se, në seancën e së enjtes do të diskutohet për gjetjen e një zgjidhjeje për të formuar institucionet e vendit.

Ai ka thënë se presin që në këtë seancë të marrin pjesë edhe deputetët e PDK-së dhe së bashku të diskutojnë për zgjidhjen e mundshme.

Ferati ka thënë se janë të vetëdijshëm me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka saktësuar se e drejta e propozimit për kryetar i takon vetëm PDK-së, por sipas tij, PDK duhet që vetë të heqë dorë pasi nuk mund të provojë deri në pafundësi që të zgjedhë kryetarin nga radhët e saj.

Nuk është e qartë nëse në këtë seancë deputetët do të mund të votojnë për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, apo ajo do të përfundojë thjesht me debat për zhbllokimin e situatës.

Top Channel