Unaza energjitike e Jugut

05/10/2014 00:00

Gjermania mbetet një prej donatorëve më të rëndësishëm europianë për Shqipërinë. Fondet e akorduara nga qeveria gjermane aplikohen nëpërmjet projekteve të KFW-së dhe GIZ-it, Bashkëpunimit gjerman Ndërkombëtar për Zhvillim.

Ndër më të rëndësishmit është ndërtimi Unazës së Jugut të Shqipërisë, 110 kilovolt, me vlerë 49 milionë euro, e gjatë rreth 145 kilometra, e cila nis nga Babica e Vlorës deri në Sarandë. Punimet në Babicë u ndoqën nga ambasadori gjerman Helmut Hofmann.

“Ajo që mund të them është se jemi të kënaqur, pasi ka nisur të ketë progres, pasi me keqardhje më duhet t’iu them se pati një bllokim të projektit. Ndërtimi ka nisur dhe, siç mund ta shikoni, puna vijon. Për këtë jemi shumë të lumtur që po mundohemi ta ndihmojmë Shqipërinë në forcimin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Jug. Mendoj se ky projekt është me shumë rëndësi për ekonominë, e posaçërisht për turizmin dhe qytetarët”, tha ambasadori gjerman Hofmann.

Punimet e kësaj linjeje përfshijnë ndërtimin e disa nënstacioneve, priten të përfundojnë në fund të vitit 2015 dhe do të përmirësojnë kapacitetet në rrjet, do të rrisin sigurinë e furnizimit, duke i dhënë fund ndërprerjeve të energjisë elektrike në Jug të vendit.

“Furnizimi me ujë të pijshëm është një problem i kahershëm për qytetin e Sarandës. Por, një projekt i KFW-së gjermane prej 9 milionë eurosh synon ta përmirësojë këtë situatë”.

Nëpërmjet një projekti të KFW-së synohet rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit, aktualisht 60% i amortizuar, duke e zëvendësuar atë me 30 km tubacione të reja, përfshi edhe ndërtimin e rezervuarit të Lëkursit.

Zhvillimi i qëndrueshëm i rajonit bregdetar është një prioritet i lartë i qeverisë shqiptare. Sipas drejtorit të GIZ-it, Hans Jurgen Cassens, gjatë negociatave qeveritare Shqipëri-Gjermani në Maj 2014, të dyja palët ranë dakord që Berlini do të mbështesë modelet e zhvillimit të qëndrueshëm rural në bregdetin shqiptar në Jug, me një ndihmë teknike prej 1 milion eurosh.

Uji i pishëm mbetet një problem i kahershëm edhe për Gjirokastrën, ku furnizimi gjatë ditës shkon nga 1 deri në 4 orë, pasi rrjeti i shpërndarjes është ndërtuar midis viteve ’40 dhe ’50. Projekti i KFW-së synon rehabilimit e rrjetit të shpërndarjes për 5 lagje, të cilat parashikohen të kenë ujë gjatë 24 orëve, përfshi edhe vendosjen e 5.000 matësave të ujit.

Top Channel