“Diktatura e PDK po bllokon kuvendin”

04/10/2014 00:00

Duke folur në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatçiu e ka bërë të qarta se nuk do të ketë asnjë lëshim nga ana e koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe VV ndaj partisë së zotit Thaçi për gjetjen e një zgjidhje të situatës aktuale politik në Kosovë.

Nënkryetarja e LDK ka thënë se vendi i vetëm për bisedime është Kuvendi i Kosovës dhe nuk ka asnjë mundësi për zgjidhje të krizës jashtë tij.

Zonja Sahatçiu tha se demokracia në Kuvendin e Kosovës është bllokuar nga diktatura e PDK-së përmes instrumentit të saj, zonjës Flora Brovina.

Pandi Gjata: Jemi në një situata politike mjaft të paqartë për të ardhmen, ku nuk po kuptohet se nga do të vijë zgjidhja. Partitë e koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe VV keni dorëzuar firmat për të thirrur seancën javën e ardhshme, ndërkohë partia e zotit Thaçi nuk pranon të vijë në një seancë të cilën nuk e thërret zonja Flora Brovina. A keni shanse për kompromis me PDK-në e zotit Thaçi apo blloku juaj do të vazhdojë me qëndrimit që deri tani i ka bërë publike?

Teuta Sahatçiu: Mendoj që nuk është koha të bëjmë kompromis. Në fakt duhet të zbatojmë kushtetutën dhe frymën e demokracisë, e cila këto ditët e fundit është duke munguar. Deputetët po ndalohet të kryejnë detyrat e tyre në kuvend. Demokracia në Kuvendin e Kosovës është bllokuar nga diktatura e PDK përmes instrumentit të saj, zonjës Flora Brovina. Në fakt Thaçi flet për dialog, por është ai që po e bllokon dialogun. Ne po kërkojmë që të thirret seanca në mënyrë që të ketë mundësi për diskutim me të gjithë deputetëve dhe nga ai debat të gjendet zgjidhje. Ne si deputetë të koalicionit pas zgjedhor kemi kërkuar që të enjten e ardhshme të ketë një seancë në të cilën do të debatohet dhe do të gjendet zgjidhja.

Pandi Gjata: Në orët e fundit Thaçi është shprehur i gatshëm për kompromis. Ju e përjashtoni në mënyrë kategorike uljen në një tryezë me PDK-në?
 

Teuta Sahatçiu: Ne nuk jemi kundër debatit, po mendojmë që ai duhet të zhvillohet aty ku është vendi për debat, në Kuvendin e Kosovës.

Pandi Gjata: As në zyrën e Presidentes Jahjaga nuk mund të ketë bisedime sipas jush?

Teuta Sahatçiu: Pse duhet të takohemi te Presidentja jashtë kamerave, jashtë opinionit publik dhe jashtë kuvendit? Pse duhet të bëjmë në kompromis kur kemi 83 vota, më shumë se 70% të votave të kuvendit. Kjo nuk është një situatë e re, e cila po ndodh për herë të parë në Kosovë, por ka ndodhur edhe në vende të tjera të botës, ku partia që ka fituar më shumë vota në zgjedhje, por nuk ka arritur të bëjë shumicën në parlament ajo ka lëshuar vendin dhe ka shkuar në opozitë. Kjo mënyrë e zotit Thaçi është një filozofi e uzurpimit dhe pikërisht për këtë ne nuk mund të bëjmë kompromis me Thaçi. Ai duhet të shkojë në opozitë, duhet të reformojë partinë e vet dhe ta pastrojë ata prej individëve dhe prej mënyrës se si i ka uzurpuar të gjitha institucionet. Ne mendojmë që shumica parlamentare, të cilën ne e kemi, duhet të udhëheq edhe parlamentin edhe qeverinë e Kosovës.  

Pandi Gjata: Domethënë nuk ka asnjë lëshim nga koalicioni juaj nëse do të flitej për një kompromis që partia e zotit Thaçi të mbajë kryetarin e kuvendit dhe ju qeverinë?

Teuta Sahatçiu:
Pse duhet kompromisi të kërkohet nga shumica e madhe? E vetmja gjë që zoti Thaçi duhet të bëjë është të shkojë në opozitë.

Pandi Gjata: A besoni që me një situatë të tillë do të jenë ndërkombëtarët ata që do të ndihmojnë në gjetjen e një zgjidhje të kësaj situate?

Teuta Sahatçiu: Ne po kërkojmë që dialogu të bëhet në parlament, ndërsa Thaçi po kërkon dialog nëpër tryeza të tjera, të cilat nuk janë tryeza ku gjendet zgjidhje. Kjo për ne nuk është një mënyrë e mirë zgjidhjeje. Nëse ndërkombëtarët do të ndërhynin atëherë kjo do të ishte një kthim pas për Kosovën. Kjo situatë mund të llogaritet si një test i maturitetit të institucioneve tona, të cilin ne duhet patjetër ta kalojmë vet. Kjo situatë ka ndodhur edhe në shtete të tjera dhe asnjëri prej tyre nuk ka kërkuar ndihmën e shteteve të huaja për të zgjidhur punët e shtëpisë. Kjo mënyrë e qeverisjes duhet të ndërpritet një herë e përgjithmonë dhe t’i hapi rrugë demokracisë.

Pandi Gjata: Jemi drejt zgjidhjes së situatës së krizës apo afër zgjedhjeve të parakohshme?

Teuta Sahatçiu: Nuk mendoj që zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja pasi edhe në vendimin e gjykatës thuhet se nuk bëhet zgjidhja përmes zgjedhjeve. Mendoj që duhet të respektohet demokracia dhe fryma e kushtetutës.

Top Channel