Blloku, kërkesë në Sekretarinë e Kuvendit

03/10/2014 00:00

Deputetët e koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosje kanë dorëzuar në Sekretarinë e Kuvendit të Kosovës kërkesën për vazhdimin e seancës konstituitive, e cila është shtyrë ditë më parë nga kryesuesja Flora Brovina.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka konfirmuar për Top Channel përmes telefonit se kërkesa për seancë, që është dërguar në Kuvend, tanimë është protokolluar dhe – sipas saj – seanca është thirrur për ditën e enjte të javës së ardhshme.

Kërkesa për këtë seancë është e nënshkruar nga të gjithë deputetët e bllokut, por jo edhe nga deputetët e komuniteteve pakicë.

Në Sekretarinë e Kuvendit nuk kanë dashur të flasin për kërkesën e deputetëve të koalicionit paszgjedhor. Një zyrtar i lartë në Kuvend ka treguar, në kushte anonimiteti, se ajo çfarë ka bërë Sekretaria deri tani me këtë kërkesë, është që e ka shpërndarë si njoftim nëpër kutitë e deputetëve.

Por, njoftimi i koalicionit paszgjedhor nuk është shpërndarë as te Presidentja, por as tek ambasadorët e akredituar në Prishtinë, siç ndodh rëndom në seanca konstituitive.

Në Sekretarinë e Kuvendit kanë treguar se nuk dihet ende, nëse mund të jetësohet kërkesa e koalicionit paszgjedhor, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese e detyron Sekretarinë e Kuvendit, që të jetë në shërbim vetëm të kryesueses së seancës, sa i takon seancës konstituitive.

Top Channel