Zëvendësministri i Zhvillimit Urban, Alfred Dalipi ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, ku  foli në lidhje me programin për “Rilindjen e Qyteteve”. Zoti Dalipi tha se deri tani qeveria ka financuar në pushtetin vendor 74 projekte, ku 60 prej të cilave kanë nisur zbatimi.

Dalipi foli edhe mbi operacionin e zhvilluar nga INUK për prishjen e ndërtimeve pa leje. Ai tha se asistimi i INUK-ut në Tiranë, por edhe në qytete të tjera është normal pasi është një strukturë kombëtare.

Pandi Gjata: Prej disa ditësh kemi parë shpesh Kryeministrin Rama që përuron fillimin e disa projekteve për rehabilitimin e kryesisht qendrave te disa qyteteve. A janë këto projekte të veçuara apo pjesë e një projekti të madh dhe çfarë parashikon ky projekt?

Alfred Dalipi: Këto dy javë ka nisur faza e zbatimit të këtyre projekteve, të cilat janë përzgjedhur duke iu nënshtruar një procedure pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban prej 6 muajsh. Aktualisht jemi në thirrjen e pestë, pasi janë realizuar katër të parat, për financimin e projekteve të infrastrukturës urbane. Deri tani qeveria ka financuar në pushtetin vendor 74 projekte në tre thirrjet e para, në thirrjen e katërt janë edhe 8 projekte të tjera. Ka filluar zbatimi për gati 60 projekte, rreth 82%.

Pandi Gjata: Këto projekte përfshijnë të gjitha qytetet kryesore apo janë shpërndarë më gjerë?

Alfred Dalipi: Këto projekte përfshijnë të gjithë territorin e vendit. Nisemi që nga Shkodra e deri në Konispol, ku edhe atje po merremi me sheshin qendror. Jemi përqendruar në qytetet e mëdha me projekte të integruara, me disa projekte bashkë, për t’i dhënë jetë një koncepti që qytetarët duhet ta përjetojnë shpejt ndryshimin e qytetit të tyre.

Pandi Gjata: A kanë kaluar këto projekte në Këshillin Kombëtar të territorit dhe si ka qenë vendimmarrja e pushteteve lokale?

Alfred Dalipi:
Procesi i të gjithë këtij megaprojekti për rivitalizimin e qendrave urbane fillon me paraqitjen e projektit nga njësia vendore. Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve aplikon thirrjen, ku përcaktohet edhe filozofia për aplikimin e këtyre projekteve. Këto projekte kanë kaluar miratimin e këshillave bashkiak.

Pandi Gjata: Përveç pjesës së fasadës, a është i lidhur edhe elementi social dhe ai ekonomik i zhvillimit të këtyre zonave?

Alfred Dalipi: Padyshim, fasadat edhe pse janë pjesë e ndërtesave private janë të lidhura me aktivitete ekonomike. Në një farë mënyre ne po i japim edhe aktiviteteve ekonomike një ringritje pas kësaj periudhe të errët. Duke larguar makinat nga qendra ne rikthejmë qytetarin, kjo ndihmon edhe biznesin sepse ato janë qendra sociale dhe ekonomike.

Pandi Gjata: A është dëgjuar zëri i qytetarëve për këto projekte?

Alfred Dalipi:
Sigurisht, mund të them që dëgjesa nuk kanë qenë vetëm para zgjedhjes së projekteve, por edhe gjatë zbatimit të tij. Që në aplikim procesi monitorohet nga njësia vendore dhe deri në procesin e prokurimit të kontraktimit dhe zbatimit të projektit dhe të standardit që i bëhet zbatimit të projektit. Kemi një grafik të dëgjesave publike, por edhe inspektimit që i bëjmë zbatimit të këtyre projekteve, duke dëgjuar sërish qytetarët.

Pandi Gjata: Kush garanton që këto projekte do të vijojnë dhe a ka patur zgjedhje të qyteteve në këtë mega projekt që ju po thoni?

Alfred Dalipi: Përzgjedhja që është bërë ka qenë në bazë të një koncepti gjithëpërfshirës. Pjesa e përzgjedhjes lokale nuk ekziston në atë që mund të jetë thënë kohët e fundit. Edhe për nga pikëpamja e shumës së akorduar ka një ndarje gjithëpërfshirëse. Deri tani janë akorduar rreth 60 milion dollarë.

Pandi Gjata: Vitin tjetër do të kemi zgjedhjet dhe do të ketë ndryshimi, sa e sigurt është që këto projekte do të vazhdojnë?

Alfred Dalipi: Ne jemi përfshirë në një proces analize, se ku projektet që ne kemi financuar rrezikohen nga reforma administrative dhe realisht nuk ka risk të tillë. Projektet do të vazhdojnë pavarësisht zgjedhjeve dhe reformës administrative.

Pandi Gjata: Cili është projekti më afatshkurtër dhe më afatgjatë në këtë cikël?

Alfred Dalipi: Më afatshkurtri është 3 muaj. Projekti i rehabilitimit të sheshit dhe të fasadave të qytetit të Pukës është drejt përfundimit.

Pandi Gjata: Në aksionin tjetër kombëtar për prishjen e ndërtimeve pa leje, duket se është përfshirë INUK dhe jo strukturat e pushtetit lokal. Kemi dhe rastin e Tiranës ku nuk është përfshirë policia bashkiake. A ka një ndërhyrje në kompetencat e pushtetit vendor nga ana e INUK?

Alfred Dalipi: Në pjesën më të madhe të territorit të gjitha këto struktura kanë qenë prezente. Në fillim procesi mund të ketë pasur pikëpyetje, por sot qytetarët po kuptojnë se zgjerimi i hapësirave dhe zëvendësimi i tyre me projekte konkrete është perceptuar pozitivisht. Ndërsa mbi asistimin në Tiranë, por edhe në qytete të tjera është normale që INUK-u që është një strukturë kombëtare të shkojë dhe të prishi një ndërtim pa leje dhe të mos jetë prezente struktura, e cila e ka pasur për detyrë funksionale që t’i paraprinte këtij operacioni.

Top Channel