PDK: Opozita dhunoi Parlamentin

02/10/2014 00:00

Teksa deputetët e koalicionit paszgjedhor protestonin kundër shtyrjes së seancës në sallën e Kuvendit, PDK-ja e kryeministrit Hashim Thaçi zhvilloi një mbledhje urgjente për të diskutuar situatën e krijuar.

Seanca e parashikuar për këtë të enjte u shty një ditë më parë nga Flora Brovina, me motivacionin për të krijuar hapësirë të mjaftueshme për tejkalimin e krizës politike.

Pas mbledhjes së Kryesisë, PDK ka reaguar për veprimin e koalicionit LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosje në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se prania e deputetëve në sallën e Kuvendit është mosrespektim i institucioneve të vendit.

“Dy elemente, të cilat u dëshmuan sot nga ana e deputetëve të opozitës, në të vërtetë janë fakt i një mosrespektimi të plotë institucional me hyrjen e tyre të paautorizuar në sallën e Kuvendit. Dhe, e dyta, injorimi që i është bërë procesit të lehtësimit në ndërtimin e institucioneve, që tani është filluar nga Presidentja e Republikës së Kosovës”, tha Memli Krasniqi, nënkryetar i PDK.

PDK u ka bërë thirrje deputetëve, që të shmangin veprime që mund të çojnë në shkelje kushtetuese dhe të mos kontribuojnë në degradimin edhe të procesit të ndërtimit të institucioneve.

Top Channel