Takimet e Jahjagës nuk japin zgjidhje

01/10/2014 00:00

Përpjekjet e Presidentes Atifete Jahjaga për të ndërmjetësuar arritjen e një marrëveshjeje mes subjekteve politike, për t’i dhënë fund krizës politike, nuk po japin rezultate.

Të mërkurën, Presidentja organizoi edhe raundin e tretë të bisedimeve brenda një muaji, me qëllim që të marrë nga secili lider partiak nga një propozim, për mënyrën se si ata e shohin zgjidhjen dhe për kompromiset që mund të bëjnë, por rezultatet sërish ishin zero.

Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendësi i tij Kadri Veseli, kanë hyrë të parët në takimin me Presidenten dhe, pas tij, dhanë shenja se mund të ketë ndonjë zgjidhje.

Top Channel ka mësuar se PDK ka ofruar si kompromis të sajin, që të propozojë një kryeparlamentar nga LDK, nëse deputetët e Isa Mustafës e votojnë kryeministrin e PDK-së. Pas takimit, Kadri Veseli u shpreh optimist për marrëveshje.

“Ekziston vullneti i mirë për të dalë nga kjo situatë e ngërçit, për të mos kaluar edhe në krizë institucionale. Besojmë shumë se vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe ligjet e Kushtetuta e vendit do të respektohen. Shpresojmë shumë se do të kemi zgjidhje, sepse kemi detyrime edhe para qytetarëve”, tha Kadri Veseli, zëvendëskryetar i PDK.

Pas takimit me PDK-në, Presidentja Atifete Jahjaga ka pritur, sipas planifikimit, që të hyjë në takim kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, për të folur për zgjidhjen dhe kompromisin e mundshëm.

Por, koalicioni paszgjedhor kishte vendosur që ta takonte bashkarisht Jahjagën, për t’ia kumtuar qëndrimin e palëkundur, se duan ta çojnë deri në fund marrëveshjen që kanë arritur.

Madje, Isa Mustafa tha se e kanë ftuar Presidenten që të bëhet pjesë e zgjidhjes së krizës, ashtu siç e parashikon koalicioni paszgjedhor.

“Ne vlerësojmë se kjo gjendje mund të përballohet dhe mund të zgjidhet vetëm në Kuvend, sepse kemi të bëjmë me një sistem parlamentar, i cili e respekton shumicën. Ne do ta respektojmë votën e shumicës në Kuvend. E lutëm edhe Presidenten, që edhe ajo të bëhet pjesë e kësaj zgjidhjeje”, tha Isa Mustafa, kryetar i LDK.

Pas dështimit për arritjen e çfarëdo lloj marrëveshjeje mes dy blloqeve politike, seanca parlamentare e thirrur nga kryesuesja për të enjten nuk pritet të ketë ndonjë përfundim të ndryshëm nga seanca e kaluar.

Kabineti i Presidentes Atifete Jahjaga ka njoftuar përmes një kumtese, që e para e vendit do t’i ftojë sërish liderët e partive për të biseduar për gjetjen e një zgjidhjeje.

Top Channel