Kriza politike, mblidhen partitë

01/10/2014 00:00

Dy blloqet politike në Kosovë, PDK në njërën anë dhe në anën tjetër Koalicioni LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosje kanë mbajtur takime në të njëjtën kohë nëpër zyrat e tyre, për të diskutuar për seancën e 2 tetorit në Kuvend dhe propozimet që mund t’i japin presidentes Atifete Jahjaga në procesin e ndërmjetësimit.

Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi mësohet se ka diskutuar me Kryesinë e PDK-së për atë që kanë folur të hënën me presidenten Atifete Jahjaga, ndërsa u ka kërkuar që të jenë të gatshëm edhe për takime tjera, nëse kërkohet marrja e ndonjë vendimi brenda partisë.

Në anën tjetër liderët e koalicionit pas zgjedhor kanë qëndruar në takim rreth dy orë por nuk kanë lëvizur nga qëndrimet paraprake, pasi konsiderojnë se e drejta për formim të institucioneve u takon atyre si shumicë parlamentare.

I nominuari i Bllokut për kryeministër, Ramush Haradinaj ka thënë se edhe në takim me presidenten i kanë bërë të ditur se zgjidhja duhet bërë në Kuvend nga shumica e deputetëve.

“Plan në Kosovë ka vetëm shumica parlamentare, askush tjetër. As nuk ka zarfe, as plane, as nuk ka ide tjera por ka shumicë parlamentare, të zgjedhur nga qytetarët e vendit, prezentë në Parlament dhe e respektuar prej të gjithë partnerëve, prej të gjitha qeverive. Pra nuk ka qeveri që nuk e respekton shumicën në Kosovë, pra nuk kam dëgjuar diku të paktën prej komunikimit që e kam edhe vet”, tha Sinc: Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

Lideri i AAK-së e ka akuzuar sërish kryesuesen e seancës Flora Brovina për mos lejim të debatit në Kuvend, por ka shtuar se të enjten Blloku pas zgjedhor do ta bëjë të pamundurën që debati të zhvillohet.

Top Channel