Hasani: Kosova nuk ka krizë politike

01/10/2014 00:00

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës Enver Hasani deklaron se Kosova nuk ka krizë politike dhe as institucionale.

Në një intervistë dhënë agjencisë austriake APA, situatën politike në vend e ka përshkruar më tepër si një “situatë konfuzioni”. Hasani i ka deklaruar agjencisë APA se Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese sqaron se “Kryetari i Parlamentit të Kosovës, sipas Kushtetutës në fuqi duhet të propozohet nga partia, apo koalicioni më i fortë, që ka dalë nga zgjedhjet parlamentare, në mënyrë që të bëhet konstituimi i Parlamentit të ri të zgjedhur”.

Hasani ka deklaruar se koalicioni anti PDK, i cili përmbledh LDK-në, AAK, Nismën dhe lëvizjen Vetëvendosje është themeluar pas zgjedhjeve dhe si i tillë nga pikëpamja e Gjykatës Kushtetuese nuk është koalicion që mund të propozojë kryetarin e parlamentit.

Konflikti politik aktual nuk është se nuk mund të tejkalohet mendon Hasani.

“Ka pasur rasti si ai i Italisë apo Belgjikës që kanë qenë edhe më të rënda se ky në Kosovë dhe kanë marrë zgjidhje”, thotë ai.

Një zgjidhje sipas Hasanit do të ishte që kandidati i PDK-së të zgjidhet kryetar Parlamenti me ndihmën e kampit kundërshtar. Më pas “Kampi kundërshtar do të mund ta zgjidhte sipas planit qeverinë e re”.

“Ky është një proces politik që do të mund të ndodhte dhe nëse partitë mund të merren vesh për këtë zgjidhje, kjo nuk do të kishte pasoja kushtetuese” ka deklaruar Hasani për agjencinë austriake APA.

“Zgjidhja duhet të jetë politike” ka thënë Hasani.

Top Channel