Jahjaga, takime me partitë për krizën

29/09/2014 00:00

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka takuar ndaras shumicën e krerëve të subjekteve parlamentare, për të diskutuar për krizën politike dhe për t’u përcjellë atyre mesazhin e Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), që kërkon formim të shpejtë të institucioneve.

Jahjaga u ka bërë të ditur liderëve kërkesat e marra në Shtetet e Bashkuara, se Kosova duhet t’i ndërtojë shpejt institucionet e saj dhe të vazhdojë dialogun. Në takime, Presidentja i ka porositur liderët, që të dilet me propozime konkrete pas 48 orëve.

Pas takimeve me krerët e subjekteve, zëdhënësi i Presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu, ka thënë se zgjidhja duhet bërë në bazë të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës.

“Janë përpjekje të vazhdueshme, që zgjidhja të gjendet sa më shpejt që të jetë e mundur, me qëllim që vendi të ecë përpara dhe që detyrimet shtetërore të Kosovës, të cilat i ka në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe me vetveten, të mund të përmbushen sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Arbër Vllahiu.

Pas takimeve me Presidenten, krerët e subjekteve politike kanë paraqitur qëndrimet e tyre, duke mos hequr dorë nga kërkesat.

“Natyrisht që do të kemi një rol konstruktiv në gjetjen e një zgjidhjeje, të asaj që tani do ta quaja krizë politike që ka mbërthyer vendin tonë. Në këtë drejtim, besoj që të gjitha palët do t’i respektojnë rezultatet e 8 Qershorit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe zgjidhja do të jetë me legjitimitet demokratik dhe institucional”, tha Hajredin Kuçi, nënkryetar i PDK.

“Ne nuk dëgjuam ndonjë qëndrim specifik. Dëgjuam për nevojën që të tejkalohet sa më shpejt kjo situatë dhe të konstituohen sa më shpejt institucionet e Republikës së Kosovës. Por, përgjegjësia për konstituimin e institucioneve mbetet e jona, në këtë rast është përgjegjësi e Kuvendit”, tha Isa Mustafa, kryetar i LDK.

“Ne mendojmë që është detyra jonë, përgjegjësia jonë, e drejta jonë, që në seancën konstituitive, – e cila po ndërpritet për të vazhduar, por po vazhdon për t’u ndërprerë e për të mos përfunduar, – të fillojë debati, ku ne ofrojmë një zgjidhje”, tha Albin Kurti, kryetar i VV.

“Jemi në konsulta për të parë se si janë mundësitë. Kuptohet, e shfrytëzova rastin t’i shpjegoja se këtë mundësi e kemi, si shumicë parlamentare. Unë besoj që, së shpejti, shumica parlamentare në vend do t’i ndërtojë institucionet”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

“Kabineti i Presidentes do të inkuadrohet në mënyrë më aktive, me qëllim tejkalimin e vakuumit dhe situatës politike në Kuvendin e Kosovës, që po zgjat  mbi 100 ditë. Ne presim brenda 48 orëve propozim konkret nga kabineti i Presidentes dhe, kur ta kemi propozimin, do t’iu informojmë në kohë”, tha Aleksander Jablanoviç, lider i Listës Serbe.

Presidentja kosovare pritet që, deri në mbajtjen e seancës më 2 Tetor, t’i takojë edhe njëherë liderët e partive, në një format tjetër, nëse ata pajtohen të takohen të gjithë së bashku.

Top Channel