Kriza politike në Kosovë

27/09/2014 00:00

Sa ditë po kalojnë aq edhe më e paqartë po bëhet situata politike në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës nuk e bën dot qeverinë, të paktën deri tani, ndërsa partitë e bllokut, bashkë me VV, që kanë votat në parlament nuk po ecin dot më tej. Pyetja është se ç’po ndodh në Prishtinë, a do të kemi një qeveri të re, apo do të kemi zgjedhje të parakohshme.

Kemi një seancë të njoftuar për konstituimin e parlamentit më 2 tetor, por askush nuk e di se çdo të ndodh. Zëra nga LDK ditët e fundit kanë thënë se Isa Mystafa duhet të jetë kryeministër, por Haradinaj flet për një marrëveshje dhe një koalicion të qëndrueshëm mes partive të bllokut dhe Vetëvendosjes.

Për të gjitha foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” analisti Naim Rashidi, i cili tha se nuk parashikohet ndonjë zgjidhje e afërt e ngërçit politik dhe me shumë mundësi rrezikohet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Pandi Gjata: Në këtë situatë që është krijuar, jemi më afër krijimit të institucioneve të reja, apo drejt zgjedhjeve të parakohshme?

Naim Rashidi: Ka ende proceduara ligjore dhe kushtetuese për formimin e institucioneve, por megjithatë çështja mbetet shumë e paqartë në këtë fazë.

Pandi Gjata: Këto proceduara po shtyhen nga partitë politike, nuk janë gati? Çfarë po ndodh?

Naim Rashidi: Të gjitha partitë i urrejnë zgjedhjet e reja, por në anën tjetër nuk bëjnë asgjë për formimin e institucioneve. Dy blloqet mbeten të vendosura në pozicionet e tyre dhe për kundër dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese asnjë palë nuk ka lëvizur drejt një zgjedhje. Në fakt, PDK-ja ende nuk ka bërë ofertën e saj për të gjetur votat për kryetarin e parlamentit gjithashtu edhe koalicioni nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje. Dy blloqet kërkojnë që përmes zgjedhjes së organit të kuvendit të sigurojnë edhe votat për qeverinë dhe ky proces i ndërlidhur kaq ngushtë mbetet peng i qëllimeve të të dy blloqeve. Si i tillë rrezikon ta dërgojë vendin në zgjedhje, pasi as hapi elementar për konstituimin e kuvendit nuk po ndodh. Në anën tjetër partitë nuk kanë alternativa të tjera. Nuk shihet ndonjë zgjidhje shumë e afërt.

Pandi Gjata: A pritet të ndërhynë ndërkombëtarët? Besoni se është momenti që ndërkombëtarët të luajnë një rol të rëndësishëm për të arritur një marrëveshje?

 
Naim Rashidi:
Vizita e presidentes është pak e ekzagjeruar për atë që pritet të marr nga Uashingtoni . Ndërkombëtarët mbeten të përkushtuar që mos të ndërhynë. Do të jetë e rëndë dhe do ta degradojë pavarësinë e Kosovës ndërhyrja e ndërkombëtarëve pas dy proceseve kushtetuese. Më shumë rolin e ndërkombëtarëve e shoh drejt shtyrjes së palëve drejt një kompromisi, por jo dizainimit të marrëveshjes.

Pandi Gjata: Duhet thënë që zonja Jahjaga është futur në lojë shumë vonë. Në këtë situatë, a mendoni se janë zero shanset për t’i patur të gjitha palët në një qeveri të përbashkët?

Naim Rashidi:
Deri para marrëveshjes së bllokut me VV mund të flitej deri diku për qeveri gjithëpërfshirëse, por pas kësaj marrëveshje është krijuar një situatë e re. Do të duhej mjaft kohë për të bindur palët për t’u futur në një qeveri gjithëpërfshirëse ose ndoshta një qeveri teknike. Në këto rrethana është e vështirë të kemi një qeveri të udhëhequr nga zoti Thaçi, apo të zgjidhet zoti Mustafa kryetar i kuvendit.

Pandi Gjata: Sa të qëndrueshëm janë dy blloqet? Pasi ka pasur zëra që Isa Mustafa duhet të jetë kryeministër dhe jo Haradinaj. A është i qëndrueshëm ky koalicion me këtë marrëveshje?

Naim Rashidi: Marrëveshja e 9 qershorit e bërë nga tre partitë politike ka qenë gjithnjë e paqëndrueshme dhe në fakt këtij skeleti i janë shtuar muskuj nga marrëveshja me VV. Marrëveshja për ndarjen e posteve ka qenë e paqëndrueshme. Sa më shumë kohë kalon aq më shumë rebelim do të shohim nga pjesëtarë të LDK-së sepse njerëzit janë ta pakënaqur me çmimin që po paguajnë.

Pandi Gjata: A ka një kosto që paguan Kosova për zgjedhjet të parakohshme?

Naim Rashidi: Jam i bindur se nëse do të ketë zgjedhje ato nuk do të jenë të mira si ato të kaluarat dhe do të jetë një kosto politike e madhe. Për mungesë dialogu Shqipëria humbi për dy vite me radhë statusin e vendit kandidat, gjithashtu edhe Kosova do të humbte shumë.

Top Channel