Jahjaga takon Kardinalin Parolin

27/09/2014 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar sekretarin për Marrëdhëniet me Jashtë të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin, nga i cili ka kërkuar njohjen e pavarësisë nga Vatikani.

Në këtë takim, Jahjaga e ka vlerësuar lartë vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri dhe porositë e tij për paqen dhe mirëkuptimin ndërmjet njerëzve.

Ajo tha se, vizita është një simbolikë e rëndësishme edhe për të gjitha vendet e rajonit të Evropës jug-lindore dhe për raportet fqinjësore të tyre.

“Kosova është e ndërtuar mbi parimin qytetar dhe vlera më e madhe e saj është toleranca fetare e kultivuar ndër shekuj”, u shpreh ajo.

Duke vlerësuar procesin e konsolidimit ndërkombëtar të vendit, presidentja shtoi se Kosova sot është e pranuar nga 108 vende të botës dhe nënvizoi se pranimi nga Vatikani do të kishte një rëndësi të veçantë.

Nga ana e tij, kardinali Pietro Parolin u interesua për zhvillimet aktuale në Kosovë, për dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe për perspektivën evropiane të vendit dhe gjithë rajonit.

Ai tha se Vatikani po i ndjek me kujdes zhvillimet në Kosovë dhe përparimet në marrëdhëniet e saj me rajonin e Ballkanit.

Top Channel