DASH kërkon tejkalimin e krizës

27/09/2014 00:00

Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland ka pritur në Neë
York presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, me të cilën ka diskutuar
për krizën politike në Prishtinë.

Zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit i ka konfirmuar presidentes Jahjaga mbështetjen e plotë të qeverisë amerikane, në përpjekjet e saj që me liderët e partive politike të Kosovës të gjejë mënyrën për të ecur përpara në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas një komunikate për media të lëshuar pas takimit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin vazhdimin e një marrëdhënieje të afërt me Kosovën e përkushtuar ndaj rendit dhe ligjit, dialogut me Serbinë dhe të ardhmes euroatlantike.

Nga ana e saj, presidentja Jahjaga e ka njoftuar në detaje ndihmës sekretaren Nuland për përpjekjet që po bëhen në Kosovë për krijimin e institucioneve të vendit, përfshirë konstitutimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë së re.

Sipas komunikatës për media, presidentja kosovare e ka theksuar rëndësinë që zgjidhja e ngërçit politik të bëhet nga deputetët e Kuvendit, të cilëve u është besuar vota e qytetarëve për t’i çuar përpara proceset e rëndësishme në Kosovë dhe për të kryer me përgjegjësi misionin dhe obligimet që shteti ynë ka marrë përsipër.

Duke shquar fillimin e konsultimeve me partitë politike parlamentare, presidentja Jahjaga e theksoi rolin e saj në këtë proces si faktor i unitetit dhe garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve për ndihmën në gjetjen e formulës së përshtatshme politike, që do t’i hapte rrugë krijimit të institucioneve.

Presidentja e Kosovës pritet që të dielën të kthehet nga vizita në Shtetet e Bashkuara, ndërsa menjëherë në fillim të javës së ardhshme do t’i ftojë krerët e subjekteve politike, për t’ua kumtuar edhe zyrtarisht qëndrimin amerikan sa i takon krizës politike në vend.

Top Channel