Kosova sanksione Rusisë

17/09/2014 00:00

Qeveria e Kosovës i është bashkuar vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteve të Bashkuara të Amerikës për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të ndërhyrjes që ajo ka bërë në Ukrainë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se sanksionet ndaj Moskës zyrtare hyjnë në fuqi menjëherë, ndërsa ka urdhëruar ministritë e linjës që të zbatojnë me përpikmëri sanksionet e ndërmarra.

“Qeveria e Kosovës mbështet sanksionet e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj autoriteteve të Federatës Ruse. Sanksionet e qeverisë së Kosovës janë të përcaktuara në shtojcën 1 të vendimit që po nxjerrim. Sanksionet do të jenë në fuqi deri në një vendim tjetër, varësisht nga rrethanat që mund të krijohen”, deklaroi Thaçi.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka thënë se Kosova po i miraton sanksionet ndaj Rusisë për shkak të detyrimeve që ka në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

“Ky vendim parashikon që një listë institucionesh financiare, shoqëri që operojnë në sektorin e energjisë, në sektorin e prodhimit të armëve, autoritete të vetëshpallura politike në territorin e Ukrainës, si dhe disa individë e zyrtarë të lartë do t’u duhet të ballafaqohen me sanksionet që do të vendosë Republika e Kosovës”, tha Hoxhaj.

Pas ministrit të Jashtëm, ministri i Financave Besim Beqaj bëri të ditur se në tregun kosovar nuk ka produkte ruse, mirëpo ai shtoi se Kosova është përdorur si vend tranzit i atyre mallrave nga Rusia. Por me sanksionet e miratuara, Beqaj u zotua se inteligjenca financiare dhe doganat nuk do të lejojnë asnjë tranzit.

Gjatë mbledhjes së qeverisë u miratuan të mërkurën edhe shpronësimet e disa tokave që preken nga ndërtimi i Linjës Energjetike 400kV mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Top Channel