Në pritje të seancës konstituitive

15/09/2014 00:00

Shtyrja e vazhdimit të seancës konstituitive të Kuvendit për një javë nuk ka ndryshuar asnjë qëndrim të ndonjë force politike në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës pret që të enjten të zgjedhë kandidatin e saj për kryeparlamentar, ndërsa paralajmëron ndjekjen e hapave ligjorë e kushtetues nëse Blloku paszgjedhor bën veprime jokushtetuese.

“Ne kemi bërë kontakte të ndryshme me parti politike, presim që në Kuvend të gjithë deputetët të kenë përgjegjësi, të votojnë lirshëm dhe në përputhje me Kushtetutën. Nëse do të ndodhë një bllokim i radhës, nëse nuk do të mund të funksionojë prapë Kuvendi, atëherë ne do të sillemi sipas rrethanave të reja. Besoj se kësaj radhe të gjithë deputetët do të votojnë. Mendoj se do të kërkojmë gjithë hapësirën ligjore për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit i cili i takon PDK-së”, deklaroi deputeti Zenun Pajaziti.

Për të diskutuar skenarët për seancën e së enjtes, liderët e koalicionit LAN-VV kanë qëndruar në një takim disa orësh në një restorant në periferi të Prishtinës. Në këtë takim, temë kryesore ishte Lista Serbe, e cila ka kushtëzuar pjesëmarrjen e saj në qeverisje, ku Vetëvendosje do të ketë udhëheqjen e bisedimeve.

“Besoj se teksti i marrëveshjes është krejtësisht i qartë dhe ajo që për neve vazhdon të jetë e paqartë është, se si mundet që të shtyhet seanca kur nuk kanë mbetur 24 orë deri në fillimin e saj. Përkatësisht, si bëhet që të enjten pasdite të shtyhet seanca e 120 deputetëve që duhej të mbahej paraditen e 12 shtatorit. Ndërsa sa i përket çështjeve të tjera politike, unë besoj se ato janë plotësisht të qarta dhe mendoj që të enjten do të kemi edhe një konfirmim të radhës. Qeverisja e pushteti i saj, i cili nuk është kufizuar tek qeveria por është shtrirë edhe tek institucionet e pavarura, madje edhe në Kuvendin e Kosovës, me gjithë mend po merr fund”, deklaroi kryetari i VV, Albin Kurti.

Ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se minoritetet megjithatë do të kenë vendin në qeverisjen e ardhshme konform Kushtetutës.

“Nuk kemi pasur rast të takohemi sot, por besoj që edhe Lista Srpska, sikurse edhe komunitetet e tjera kanë mundësinë të marrin pjesë në institucione ashtu siç e parasheh Kushtetuta. Kuptohet që angazhimi ynë, koalicioni ynë LAN-VV, është në të mirë të gjithë qytetarëve dhe do punojë në dobi të qytetarëve të vendit”, u shpreh Haradinaj.

Deri në mbajtjen e seancës konstituitive të enjten, krerët e koalicionit pas zgjedhor pritet të takohen sërish për të diskutuar skenarët përmes të cilëve synojnë realizimin e marrëveshjes së tyre për zgjedhjen e Isa Mustafës kryetar të Kuvendit.

Top Channel