Fillimi i shkollës për Esterin, një mundësi për të dalë jashtë mureve të shtëpisë

15/09/2014 00:00

Për Ester Hamzajn, 15 Shtatori nuk është thjesht dita e parë e shkollës. Është dita më e lumtur e vitit, edhe pse për të shkuar deri në shkollë, për 9-vjeçaren dhe familjen e saj është një mundim i përditshëm.

Dy vitet e mëparshme, mamaja e saj e mbante në krahë, ndërsa këtë vit, Esteri do të shkojë në shkollë me karrocë.

“Ndihem pak keq kur më merr mami në krah për të më zbritur, s’e di ndoshta ngaqë jam e madhe dhe kur shoh fëmijët e tjerë dua të jem si ata, të vrapoj”, thotë Esteri.

9-vjeçarja, nxënëse e klasës së tretë në shkollën “Bajram Curri” në kryeqytet, vuan që në foshnjëri nga një sëmundje e rrallë, që çdo ditë e më shumë e pengon të ecë.

Karroca, që me vështirësi ia siguroi shkolla në bashkëpunim me një shoqatë, e bën të ndihet akoma më keq. Por, të paktën lehtëson të ëmën, e cila s’ka shumë kohë që e ka rimarrë veten nga një operacion.

“Mami do të lehtësohet, sepse unë kam filluar të rëndohem, jam shëndoshur, dhe mami nuk e përballon dot, prandaj është më mirë të jem me karrocë. Sërish ndihem keq, por kështu është më mirë për mamin”, thotë më tej Esteri.

Ndonëse, zakonisht, pushimet e verës janë aq shumë të dashura për fëmijët, për Esterin ato janë shumë të mërzitshme.

“Tashmë që s’kam shkuar në shkollë mezi e kam kaluar ditën duke parë filma, nuk kisha çfarë të bëja. Ndërsa në shkollë luaj me shokët, mësoj, kur vjen momenti i pushimit luaj edhe me shoqet”, shprehet Esteri.

Në shtëpi, çdo lëvizje e saj varet nga prezenca e së ëmës.

“Unë rri vetëm ulur, sa herë lëviz më kap mami prej krahësh dhe eci me vështirësi, ose duke u zvarritur këmba-dorazi në tokë, pastaj ulem sërish”.

Esteri është një ndër krenaritë e klasës, jo vetëm në mësime, por dhe në sjellje. Marie Korriku, drejtoresha e shkollës, ka ndryshuar këtë vit edhe klasën për t’iu përshtatur mundësive të Esterit.

“Aftësia e kufizuar e saj, që ka të bëjë me të ecurin, i ka krijuar mjaft probleme prindit të saj, kjo për shkak se me rritjen e moshës shtohet edhe pesha dhe vështirësitë për ta zhvendosur duke e mbajtur në krahë, për ta sjellë në shkollë, e për ta kthyer sërish në shtëpi. Aq ishte mundësia jonë, do të përpiqemi maksimalisht të ndihmojmë moralisht atë prind, që sfidoi problemin që ka me fëmijën e vet”, u shpreh drejtoresha e shkollës.

Fillimi i shkollës për Esterin, më shumë se mundësi për të ecur në jetë, është një mundësi për të dalë jashtë shtëpisë, nëse mund të quhet e tillë, kjo dhomëz ku jeton bashkë me prindërit dhe vëllanë e vogël.

Kushtet e rënda ekonomike ia kanë bërë akoma më të vështirë asaj dhe familjes së saj, bashkëjetesën me sëmundjen. Por, asesi dëshirën për të shkuar në shkollë.

Top Channel