Zhurma largon turistët, ndotja akustike në Gjirokastër detyron vizitorët të ndryshojnë hotel

30/05/2026 14:59

Ky çift turistësh nga Holanda u detyrua të largohej nga hoteli në qendër të Gjirokastrës për shkak të muzikës me volum tepër të lartë dhe pamundësisë për të pushuar gjatë natës.

Ajo që duhej të ishte një eksperiencë e qetë në qytetin e gurit, u kthye në një natë pa gjumë dhe stres për turistët.

“Ne kemi ardhur nga Holanda dhe kishim prenotuar për të qëndruar dy netë, por ishte thuajse e pamundur. Gruaja ime nuk ka fjetur fare natën e parë. Muzika dhe zhurmat ishin në kufijtë maksimalë. Ne vijmë këtu për të shijuar ushqimin, muzetë dhe atmosferën e qytetit, jo për të kaluar netë pa gjumë.

Ishte sikur të flinim në rrugë. Gjumi më zuri diku rreth orës 4:30 të mëngjesit. Për këtë arsye vendosëm të largohemi nga ai hotel dhe të qëndrojmë diku tjetër ku të paktën ka më shumë qetësi”, shprehet njw turist.

Ndërkohë, ankesat për ndotjen akustike në Gjirokastër janë bërë të vazhdueshme. Biznese, banorë dhe turistë kanë kërkuar ndërhyrje nga bashkia dhe policia, por situata vijon të mbetet problematike.

Ligji shqiptar për ndotjen akustike përcakton kufij të qartë për nivelin e zhurmës, veçanërisht gjatë orëve të natës. Burime nga Policia e Gjirokastrës bëjnë me dije se janë kryer disa matje në zonën muzeale, por niveli i zhurmës nuk ka kaluar 85 decibel.

Megjithatë, për strukturën karakteristike të ndërtimeve në këtë zonë, ky konsiderohet një nivel tepër i lartë dhe shqetësues për banorët, bizneset dhe turistët. Sipas burimeve policore, çdo natë raportohen ankesa të shumta për muzikë me volum të lartë.

Në disa raste, zhurma ulet në momentin e ndërhyrjes së policisë, por më pas situata përsëritet duke krijuar një problem të vazhdueshëm për zonën turistike. Nëse kjo situatë vijon të mbetet pa zgjidhje, rrezikohet që zëri i qytetit të mos jetë më ai i kulturës dhe historisë, por ai i zhurmës që po largon vizitorët.

Top Channel