Kosovë, arrestohen falsifikatorët

13/09/2014 00:00

Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të koduar “Dollari”, gjatë të cilit ka arrestuar katër persona të dyshuar për veprën penale “Falsifikim i parasë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Ky operacion policor është realizuar në rajonin e Prizrenit, ndërsa të arrestuarit janë katër shqiptarë nga Kosova.

Sipas njoftimit të Policisë, operacioni kishte filluar pas një pune hetimore dhe disa informacioneve, që kishin siguruar hetuesit policor në rrugë operative, se disa persona të dyshuar janë duke u munduar, që të fusin në tregun e Prizrenit parà të falsifikuara (dollarë amerikan).

Policia ka arritur t’i kapë në flagrancë të dyshuarit, teksa bënin këmbimin e dollarëve me euro. Përveç mjeteve të konfiskuara, policia, gjatë aksionit, ka arritur të gjejë edhe dy pushkë gjuetie, një revolver, një rrethatore me 20 plumba të pushkës së gjuetisë, kalibri 12 mm, dhe disa sende të dyshimta si të vjedhura, si mjete elektroteknike etj.

Sipas komunikatës së Policisë, të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer në konsultim me prokurorin kompetent dhe ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për të vazhduar më procedurat e tjera hetimore.

Top Channel