“Kosova ti zgjidhe vete problemet”

13/09/2014 00:00

Diplomatët perëndimorë të akredituar në Prishtinë nuk do të ndërhyjnë në politikën e brendshme të Kosovës për të zgjidhur ngërçin e krijuar politik.

Vonesat e deritanishme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë konsiderohen normale dhe demokratike për ambasadorët evropianë, të cilët zotohen se nuk do të bëjnë kurrfarë ndërhyrjeje në procesin e formimit të institucioneve.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff u ka bërë thirrje politikanëve kosovarë që të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjejnë zgjidhje për formimin e institucioneve.

“Ne nuk do të përfshihemi në këtë proces. Sa i përket Britanisë së Madhe, ne e kemi mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial, por nuk na takon neve të themi se kush do të jetë kryeministër e kush kryetar Kuvendi. Këto gjëra i përkasin politikanëve kosovarë për t’i zgjedhur. Ne duhet të mbështesim Gjykatën Kushtetuese pasi është një institucion i pavarur. Mendoj se do të ishte shumë e dëmshme nëse do të fillonim të kontestonim vendimet e Kushtetueses”, ka deklaruar Cliff.

Edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar ka thënë se nuk do të ndërhyjë për tejkalimin e krizës politike, duke thënë se është në duart e politikanëve të zgjedhur kosovarë që të formojnë institucionet.

“Besoj se Kosova do të lëvizë shpejt sa i përket situatës politike. Gjithçka ka të bëjë me një proces demokratik. Kemi pasur zgjedhje të mira, por është ndalur në formimin e institucioneve. Patëm një pyetje në Gjykatë, që është demokratike edhe për vendet e tjera. Do të shohim se çfarë do të ndodhë javën tjetër. Ne nuk kemi ndërhyrë, nuk duam të ndërhyjmë dhe Kosovës nuk i duhet ndërhyrja jonë”, ka deklaruar Zhbogar.

I pari i BE-së në Prishtinë po ashtu ka thënë se në këtë fazë është shumë e rëndësishme për Kosovën që të lëvizë drejt formimit të qeverisë. Zbogar ka thënë se përfshirja e mundshme lëvizjes Vetëvendosje në një qeverinë e ardhshme nuk paraqet ndonjë problem.

Këto deklarata, diplomatët evropianë i bënë para nisjes së një shëtitjeje me tren nga Prishtina për në Pejë, në kudër të Ditëve të Trashëgimisë Kulturore 2014. E pranishme në këtë aktivitetet ishte edhe presidentja Atifete Jahjaga, por kjo e fundit nuk pranoi të fliste për krizën politike.

Top Channel