Kosova në udhëkryq

13/09/2014 00:00

Në Kosovë u shty për të paktën një javë konstituimi i parlamentit të ri, por mund të ketë edhe një shtyrje tjetër.

Për të folur në lidhje me ngërçin politik në Kosovë ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” Haki Abazi, analist politik nga Prishtina.

Zoti Abazi u shpreh se Lista Serbe është rezultat i një dialogu të menduar keq nga ana e palës kosovare dhe tani kërkon të fitojë maksimumin nga një proces politik.

Ai shtoi se i vetmi institucion i cili mund ta nxjerrë Kosovën nga ngërçi politik pa shkuar në zgjedhje të parakohshme është Presidentja Jahjaga.  

Pandi Gjata: Ku po shkon Kosova me këtë proces të tej zgjatur që pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare.

Haki Abazi: Kosova ka hyrë në një ngërç politik që vështirë mund të dilet, por gjithmonë ka zgjidhje. Por veprimet që po vazhdon PDK-ja, ky i fundit ky zonja Brovina me një kërkesë jo kushtetuese të grupit parlamentar serb ka shtyrë seancën konstituive të parlamentit. Ky rast përbën një shkelje të re dhe ka anashkaluar Gjykatën Kushtetuese dhe deputetët, të cilët janë të zgjedhur. Kushtetuta është bërë për t’i dhënë zgjidhje çështjeve që mund të jenë problematike.

Pandi Gjata: Në këtë situatë, Lista Serbe është duke bërë lojën e partive politike në Prishtinë apo një lojë të dyfishtë mes Prishtinës dhe Beogradit?
 
Haki Abazi: Lista Serbe është rezultat i një dialogu të menduar keq nga ana e palës kosovare dhe tani kërkon të fitojë maksimumin nga një proces politik. Deri tani ata kanë qenë të qartë se do të jenë me ata që do të bëjnë qeverinë, por pas marrëveshjes së fundit Lista Serbe po shqyrton se çfarë do të fitojë dhe çfarë do të humb me futjen e VV në marrëveshje. Vendimi i Listës Serbe varet nga vendimi i Beogradit, kjo qartëson se ata nuk kanë qëllim politik që është i bazuar në vullnetin e serbëve që jetojnë në Kosovë.

Pandi Gjata: A mendoni se ka një abuzim me të drejtën kushtetuese për serbët dhe mund të kemi edhe një shtyrje tjetër pasi këtë kërkesë mund ta bëjnë edhe deputetët turq apo ata boshnjakë?

Haki Abazi: Nuk do të isha fokusuar shumë në abuzimin që mund të bëjnë minoritetet në të drejtën kushtetuese, pasi ky abuzim vjen nga Gjykata Kushtetuese. Dy gjyqtarët e huaj kanë dalë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ky abuzim ka ardhur nga Gjykata Kushtetuese dhe nga PDK-ja, duke penguar funksionimin e shtetit të Kosovës. Që pas luftës minoritetet janë përdorur nga PDK-ja për të qenë një krah politik për të realizuar qëllimet e atyre.

Pandi Gjata: A i ka minimizuar të gjitha shanset e PDK-së ky koalicion i firmosur mes partive të bllokut dhe Vetëvendosjes?

Haki Abazi: Kanë qenë minimale që në momentin kur partitë shqiptare kanë deklaruar publikisht se nuk do të hyjnë në koalicion me PDK-në. Ky është një tjetër sinjal për të kuptuar edhe PDK-në që të mos bëhet objekt i bllokimit të jetën institucionale në Kosovë.

Pandi Gjata: Si e patë marrëveshjen e partive të bllokut AAK-LDK dhe Nisma me VV? Në fakt janë 3 muaj negociata dhe në fund kushtet e VV u plotësuan. Si e shikoni këtë lëvizje që gjatë gjithë kohës ka qenë kundër bisedimeve me Serbinë?  

Haki Abazi: Në dy mandatet e kaluara kemi parë një qeverisje jashtëzakonisht të dobët. Qeveritë kanë qenë të formuara me grupet minoritare dhe vendet e rezervuara. Në të gjitha raportet ndërkombëtare dhe në analizat, Kosova është mbrapa krahasuar me të gjitha vendet e rajonit në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, zhvillimi ekonomik është jashtëzakonisht mbrapa. Të gjitha këto janë pasoja të një qasje ndaj qeverisjes, e cila nuk ka pasur fuqi të mjaftueshme që të marrë vendime të mëdha. Kjo në një faqrë form jo që arsyeton vendimin e VV dhe bllokut. Situata e krijuar ka krijuar nevojën urgjente për të mbrojtur kushtetutshmërinë e shtetit të Kosovës kundrejt kërcënimeve që po vinë nga grupe që e kanë kapur shtetin e Kosovës dhe po e mbajnë peng për shkak të interesave të tyre të brendshme.

Pandi Gjata: Si do ta presin ndërkombëtarët që dialogun Prishtinë-Beograd do ta drejtojë VV?

Haki Abazi: Urgjenca, e cila në mënyrë artificiale ishte krijuar në 2010 që duhet krijuar patjetër qeveri për të vazhduar dialogun nuk ekziston më. Serbia është kandidat i Unionit Europian. Tashmë patjetër duhet të ketë dialog me të gjithë fqinjët, por ai dialog duhet të jetë në nivel të barabartë, parimor dhe me përfitime të dyanshme. Nuk mendoj që ka ndonjë urgjencë, sidomos ajo kundërshti që është dukur në media për disa vite është ushqyer më shumë nga PDK-ja, duke tentuar që ta përjashtojë VV nga një proces politik i brendshme.

Pandi Gjata: Si e keni parë rolin e Presidentes Jahjaga, e cila ka thënë ‘nuk më takon mua të ndërhyjë në këtë krizë, por është çështje e Parlamentit të Kosovës dhe i takon ta zgjidhin deputetët’?

Haki Abazi: Ky është një paradoks dhe një hipokrizi, për arsye se procesi i ngërçit ka filluar me kërkesën e Presidentes ndaj Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar se kujt duhet t’ja japë mandatin e parë. Pa shkuar në zgjedhje të reja, i vetmi institucion i cili mund ta nxjerrë Kosovën nga ngërçi politik është Presidentja e Kosovës, e cila duhet të thërrasë liderët politik për dy çështje. E para, për të kërkuar se kush i ka numrat për ta zgjedhur kryeparlamentarin dhe e dyta, se kush i ka numrat për të bërë mandatorët e qeverisë. Vazhdimi i këtij ngërçi e bën të paarsyeshme çdo lloj heshtje të Presidentes.  

Pandi Gjata: Nga gjithë kjo analizë dhe zhvillime, jemi afër krijimit të institucioneve të Kosovës apo zgjedhjeve të parakohshme?

Haki Abazi: Unë mendoj që jemi përpara një përplasje të një insistimi të një partie që pretendon të ketë muskujt e fuqishëm politik dhe në fakt dhe ka numrat në Parlamentin e Kosovës, ku nuk mund ta tradhtojë elektoratin duke shkuar në zgjedhje të parakohshme, të cilat mund të jenë edhe më të manipuluara. Më pas rrezikojmë për një krizë më të madhe. Unë mendoj që është shumë e lehtë, tashmë janë 83 deputetë, ku edhe vetë minoritetet thonë se do të jenë me ata të cilët do të krijojnë institucionet e Kosovës.

Top Channel