Përleshjet mes tifozërisë së Vllaznisë dhe asaj të Tiranës kanë vazhduar edhe pas përfundimit të ndeshjes, ndërkohë që 6 tifozë dhe 5 punonjës policie, të plagosur janë dërguar në spitalin e Shkodrës.
Të dëmtuarit kanë kryesisht goditje me sende të forta dhe çarje në kokë, por fatmirësisht gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën.
Pas shoqërimit të 35 tifozëve, mes të cilëve 20 nga tifozëria e Vllaznisë, nëpërmjet një deklarate për shtyp, policia ka theksuar se do të merrem masa për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të akteve të dhunës, duke mos lënë jashtë organizatorët e këtij aktiviteti.
Ndërkohë administrator i klubit Vllaznia ka fajësuar tifozët e Tiranës si nismëtarët e dhunës në “Loro Boriçi”.
“Klubi i futbollit Vllaznia i kishte marrë të gjitha masat e duhura për organizimin e kësaj ndeshjeje. Në radhën e tifozëve tanë njëri ndodhet në gjendje të rëndë, pasi është qëlluar me thikë nga tifozët miq. Në këto rrethana jemi indinjuar nga një sjellje e tillë nga ky grupim i vogël i tifozëve të Tiranës, të cilët vetëm tifozë futbolli nuk mund të quhen “, deklaroi Neritan Kalamishi, administrator i klubit Vllaznia.
Ndërkohë disa tifozë të Tiranës fajësojnë policinë, e cila ka ushtruar dhunë edhe ndaj fëmijëve dhe femrave.
“Policia nuk funksionoi. Në autobus ndodhen gra dhe fëmijë, të cilët u keqtrajtuan nga policia. Shkodra na priti me gurë”, u shpreh një nga tifozët e Tiranës.
Pasi kanë qëndruar për rreth dy orë brenda stadiumit tifozët e Tiranës janë nxjerr nën masa të forta sigurie dhe janë shoqëruar deri në Tiranë.
Bilanci i kësaj ngjarje, që nuk mbahet mend prej 20 vitesh në stadiumin “Loro Boriçi”, u mbyll me 11 të plagosur, 35 të shoqëruar dhe disa miliona lekë dëme materiale.
Top Channel