ISIS, Thaci pershendet planin e Obames

12/09/2014 00:00

Në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri kosovar Hashim Thaci ka përshëndetur planin e presidentit amerikan Barack Obama për shkatërrimin e terroristëve të ISIS.

“Kosova është pjesë e kësaj Aleance botërore që po krijohet për të luftuar një të keqe të madhe”, bën të ditur kryeministri.

“Qeveria e Kosovës po punon në një paket masash që parandalon vajtjen e luftëtarëve nga Kosova, veprime ekonomike për krijimin e vendeve të reja të punës dhe reforma në arsim.

Ne nuk do të ndalemi së punuari për ta cimentuar rrugën tonë euro-atlantike, që nënkupton edhe kontributin tonë të drejtëpërdrejtë përkrah aleatëve historikë të Kosovës”, shrkuan kryeministri në statusin e tij.

Një ditë më parë, po përmes një postimi në Facebook, Thaci përkujtoi viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Para trembëdhjetë vitesh, populli i Kosovës, i tmerruar si e tërë bota, u bë dëshmitar se si terroristët goditën Shtetet e Bashkuara më 11 shtator 2001, duke vrarë mijëra civilë të pafajshëm, në mesin e tyre edhe shqiptarë.

Njerëzit në të gjithë Kosovën mbajtën zi për të vdekurit dhe ndanë pikëllimin e tyre me popullin amerikan. Populli i Kosovës mbetet falënderues përjetesisht ndaj SHBA-ve për lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë ne sot.

Prandaj, ne me krenari vazhdojmë të jemi përkrah popullit amerikan dhe të vendosur të mbesim në një front të bashkuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit vrastar që po vazhdon t’i cënojë vlerat e përbashkëta. Sot, sikurse edhe më 11 shtator 2001, ne të gjithë jemi amerikanë”, shkroi Thaci në rrjetin social.

Top Channel