“Do të jetë një ndeshje e veçantë, për mua dhe për klubin. Duam t’i japim një gëzim tifozëve tanë, për ne është si një finale.” Këto janë fjalët e trajnerit të Romës, Rudi Garcia, në prag të sfidës ndaj Manchester City, përcaktuese për kalimin e grupit nga ana e skuadrës italiane.
Në grupin E të Champions League, Bayern Munchen kryeson me 12 pikë dhe ka siguruar vendin e parë, ndërsa Roma, Manchester City dhe CSKA e Moskës kanë nga 5 pikë dhe janë në luftë për vendin tjetër që siguron kalimin për në fazën e ardhshëm të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube.
“Në teori duhet të ishim jashtë pasi ata janë kampionët e Anglisë, ndërsa ne jemi skuadra që ka ardhur nga vazoja e katërt, por do luajmë në një stadium të flaktë dhe kemi qëllim të bëjmë surprizën”, shtoi Garcia.
Trajneri theksoi se Roma do të luajë vetëm për fitoren pasi nuk ka zgjidhje tjetër: “Nuk kemi alternativa, vetëm fitorja na kalon. Mos harrojmë që CSKA-ja mund të fitojë në Mynih, kështu që neve nuk na mbetet gjë tjetër veçse të sulmojmë dhe të shënojmë një gol më shumë se City. Mund t’ia dalim.”
Top Channel