Elbasan, debate per ndihmen ekonomike

12/09/2014 00:00

Projekti pilot i ndihmës ekonomike vazhdon të krijojë debate në të tre qarqet në të cilat po aplikohet. Nisur nga kjo, është zhvilluar në prefekturën e Elbasanit një takim me drejtuesit e shërbimit social.

“Është një proces i rëndësishëm që kërkon mirëfunksionimin e të gjitha hallkave. Synojmë të ndalim abuzimet. Sistemi nuk është perfekt, ndaj dhe po pilotohet”, deklaroi Etleva Bisha, drejtoreshë e Shërbimit Social pranë Ministrisë së Mirëqënies.

Përfaqësuesja e ministrisë u vu përballë me familjet e hequra nga skema e ndihmës, të cilat kërkuan rikthimin për shkak se nuk përballojnë dot jetesën. “Këto familje duhet t’i trajtojë bashkia me fondet e saj”, u përgjigj Bisha.

Nga ana e saj, bashkia shprehet se e ka të pamundur të përballojë me fondet e saj të gjitha familjet e hequra. Nga verifikimet e kryera nga administratorët vendorë rezulton se 800 familje e kanë domosdoshmëri përfitimin e ndihmës ekonomike.

“Bashkia e Elbasanit është më e prekura. Janë hequr 1.200 familje, prej të cilave 151 gra kryefamiljare me fëmijë jetimë, në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, janë edhe 45 familje nga komuniteti rom. Bashkia e ka të pamundur t’i përballojë të gjitha me fondet e saj”, tha Diamanta Vito, nga Drejtoria e Politikave dhe Zhvillimit pranë Bashkisë Elbasan.

Pas debateve që lindën mes komunitetit dhe përfaqësuesve të ministrisë, prefekti kërkoi largimin e mediave dhe vijimin e mbledhjes me dyer të mbyllura.

Top Channel